Këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë akuzuar Komunën e Prishtinës i cili udhëhiqet nga Përparim Rama se ka lejuar fasadimin e selisë së LDK-së në lagjen “Qafa”, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, megjithëse i është refuzuar leja, LDK-ja ka shfrytëzuar kohën e balotazhit për renovimin e objektit të tyre, te Qafa, i cili gjendet në zonën e mbrojtur të qytetit.
Asamblisti Arianit Beqiri thotë se kryetari Përparim Rama po rrënon objekte të tjera pa leje, por jo edhe atë të LDK-së.
“Një skandal i LDK-së dhe komunës së Prishtinës. Në mbledhjen me 11 shkurtit të vitit 2022 sa i përket fasadës selisë së LDK-së te “Qafa” e shpjegova a i lejohet apo jo intervenimi. Nëse aty diçka nuk është legale ato do të hiqen. Me datën 15 mars 2022 kemi kërkuar të shohim a ka aplikuar LDK dhe ai është miratuar një kërkesë e tillë. Sipas përgjigjes i është refuzuar kërkesa e LDK-së. Me datën 6 maj 2021, LDK ka aplikuar për leje aplikimi për rrënim. Pala nuk ka pasur pëlqimin e banorëve”.
“Muret e jashtme kur është intervenuar duhet të kenë paraprakisht pëlqim edhe për banorët. Komuna e Prishtinës nuk është transparente. Neglizhenca e Drejtorisë së Inspekcionit është në dijeni por nuk ka intervenuar. LDK për ndërhyrje në këtë objekt e ka shfrytëzuar në balotazh”, tha Beqiri.
E shefi i asamblistëve të kësaj partie në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Svecla, tha se Komuna e Prishtinës është dorëzuar para LDK-së. Ai ka thënë se planet dhe grupet e interesit brenda LDK janë më të forta se kryetari Rama, derisa kanë kërkuar nga ky i fundit që të veprojë njëjtë me të gjithë.
“Edhe pse është refuzuar, LDK ka injoruar këtë vendim dhe ka filluar punën ndërtimore. Komuna e Prishtinës dhe Përparim Rama janë dorëzuar para LDK-së. Ne e dinim që ky është modeli qeverisjes së LDK-së por nuk besonim që një arkitekt e tash kryetar do i mbyll sytë para një akti të shëmtuar ligjor. Ne e dimë se planet dhe grupet e interesit brenda LDK janë më të forta se Përparimi. Përparim Rama është kryetar i Prishtinës dhe duhet të sillet e të veprojë për të gjithë njësoj. Për punë të njëjta ligji duhet të veproj njëjtë për të gjithë”, tha Sveçla.