VV-ja ende pa emra të kandidatëve për kryetar komunash, afati përfundon sonte pas mesnate

Prishtinë | 06 Kor 2021 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Përkundër emrave që janë përmendur si kandidatë të mundshëm për kryetar komunash, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor.

Madje, së fundmi LVV ka shtyrë edhe afatin e pranimit të kandidaturave nga Këshillat e qendrave, afat ky që përfundon sot në ora 24:00.

Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë për Telegrafin se kjo shtyrje është një mundësi shtesë për të interesuarit për kandidim.

“Në mënyrë që të ketë mundësi shtesë për të gjithë të interesuarit për kandidim dhe për ata që për shkak të rrethanave objektive nuk kanë mundur të dorëzojnë aplikimet e tyre Komisioni Zgjedhor Qendror i LVV-së ka zgjatur afatin për aplikim. Nuk është marrë vendim i veçantë për asnjërën prej komunave por është zgjatur afati për tërë qendrat tona”, ka pohuar ai.

Theksojmë se në zgjedhjet e fundit lokale Vetëvendosje kishte fituar në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë, ndërsa Shpejtim Bulliqi kishte fituar mandatin në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen zgjedhjet parlamentare, ndërkohë subjektet politike kanë 30 ditë kohë për të bërë fushatë zgjedhore.

Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, subjektet politike mund të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje nga data 17 qershor deri më 16 gusht.

Afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës fillon më 10 korrik dhe zgjat deri më 18 gusht, gjithsej 40 ditë në dispozicion.

Kurse, periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës fillon më 15 shtator dhe përfundon më 15 tetor, gjithsej 31 ditë.

Lista jopërfundimtare e votuesve përmban: 1 milion e 894 mijë e 254 votues.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme