Lëvizja Vetëvendosje, ka thirrur konferencë për medie, ku ka komentuar raportin e ekspertëve zviceranë për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, raporton EkonomiaOnline.
Sami Kurteshi nga kjo parti, tha se institucionet e drejtësisë, u ngutën kur e cilësuan si vetëvrasje rastin e vdekjes së Deharit.
Sipas tij, një pjesë të fajit e ka kryeprokurori Sylë Hoxha. Thotë se shpallja e hetimeve te mbyllura si vetëvrasje ishte e qëllimshme politikisht.
“Me raportin e eksperteve ndërkombëtarë konstatohet se kjo s’ka qenë vetëvrasje por vrasje nga personat e tretë. Krejt kjo shpejtësi e deklarimeve të shpejta të Policisë ka pasur një rol dezinformues nga mediet”.
“Deklarata e ish-kryeprokurorit Sylë Hoxhaj kyçja e jashtëligjshme e tij në rastin e Deharit dhe shpallja e hetimeve të mbyllura dhe vetëvrasja e Deharit nuk ishe e rëndësishme, por ishte e qëllimshme politikisht”, tha Kurteshi.
Ndërsa Albulena Haxhiu, tha se kjo parti kërkon llogaridhënie nga Prokuroria e Shtetit për këtë rast, duke kërkuar edhe dorëheqjen e të gjithë zingjirit drejtues që është marrë me këtë rast.
“U konfirmua ajo çka kishin thënë familjaret që Astriti nuk është vetëvrarë, por është vrarë vetëm se ishte aktivist i LVV-së. Ne kërkojmë që prokuroria e Prizrenit të mos merret me hetimin e rastit. Ne kërkojmë nga Prokuroria Speciale që të merr vendim për rastin e Deharit dhe asnjë prokurorë të mos jenë të përfshirë në hetime, por të thirren si dëshmitarë”.
“Aleksandër Lumezi nuk mund ta heqë përgjegjësinë nga vetja dhe ka përgjegjësi karshi prokurorëve të Kosovës. Ne bëjmë thirrje për hetime të brendshme dhe përgjegjësit e institucioneve si Policia, drejtorët e burgjeve duhet të shkarkohen”, tha ajo.