Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media, në të cilën është diskutuar për krizën në kompaninë Telekom dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje nga qeveria.
Salem Lepaja, nënkryetar i VV-së, tha se, sipas ligjit, qeveria zotëron 100% aksionet e Telekomit dhe është dashur t’i thoshte ministrit të Zhvillimit Ekonomik ta ndalonte kontratën me Z-Mobile.
“Në këtë sektor strategjik po duan ta thellojnë krizën që e kanë programuar vetë. Qeveria nuk e ka pasur vështirë ta zbatojë rezolutën. Sipas ligjit, qeveria zotëron qind për qind aksionet e Telekomit dhe krejt çka duhet të bënte qeveria ishte ta vinte ministrin Lluka ta ndalojë kontratën me Z-Mobile”.
Lepaja tha se Lëvizja Vetëvendosje kërkon që të zbatohet veçanërisht pika 4 e rezolutës së aprovuar nga Kuvendi, e cila thotë që të zëvendësohen anëtarët aktualë të Bordit me anëtarë të rinj profesionistë në fushën e Telekomunikacionit, Financave dhe Administrimit të Ndërmarrjeve, raporton Ekonomia Online.
“Kërkojmë të zbatohet rezoluta, në veçanti pika 4, të tërheqë anëtarët aktualë të Bordit të emëruar pa bazë profesionale dhe të propozojë anëtarë me integritet të lartë dhe profesionistë me përvojë të gjatë në fushën e Telekomunikacionit, Financave dhe Administrim të Ndërmarrjeve”.
Besnik Bislimi, deputet i VV-së, tha se që nga aprovimi i rezolutës më 12 korrik të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës, nuk është zbatuar asnjë nga pikat e saj.
“Që nga atëherë qeveria, ARKEP-i dhe institucionet e tjera kanë bërë zero për rekomandimet apo kërkesat për deputetët”.
“Një pjesë e mirë e këtyre pikave janë të definuara si veprimet, ashtu edhe afatet për ndërmarrjet e tyre. Asnjë nga këto pika nuk është respektu nga Qeveria e Kosovës. Në vend të respektimit, qeveria ka vendosë ta trashë keqpërdorimin dhe ta vazhdojë shkatërrimin e kësaj kompanie që ka rëndësi ekonomike për Kosovën”.
“Kjo rezolutë është bërë në harmonizim të VV-së dhe LDK-së dhe kjo është vetëm një nga 14 rezolutat e tjera dhe një sërë rekomandimesh të aprovuara vetëm gjatë këtij viti nga kuvend”.
VV bëri sërish thirrje për bashkim që të aprovohet rezoluta për dialogun me Serbinë.
“Ndërkohë na bëjmë thirrje të vazhdueshme edhe LDK-së që të bashkohemi në aprovimin e një rezolute të përgatitur nga ata për dialogun me Serbinë dhe përbërjen me grup negociator, madje na thuhet se kjo do ndalojë aventurat e presidentit Thaçi. Nëse duan ta tregojnë këtë e kanë pasur rastin të na tregojnë me këtë rezolutë. Duke shkelur e injoruar secilën prej rezolutave, Qeveria në fakt na ka treguar se e duam këtë rezolutë vetëm për ta shkelur dhe na kanë konfirmuar se kërkesat tona për dorëheqjen e kësaj qeverie janë të drejta dhe mundësia e vetme për ta ndalë degradimin e shtetit”.