Lëvizja Vetëvendosje! Qendra në Shqipëri i është drejtuar me një kërkesë zyrtare me shkrim institucioneve më të larta të Shqipërisë dhe partive politike, që ta mbështesin dhe miratojnë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë rezolutën për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
LVV-ja dega në Shqipëri i është drejtuar me kërkesë presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, deputetëve të Kuvendit, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, kryetares së PS-së për Integrim, Monika Kryemadhi, kryetarit të Partisë së Drejtësisë, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, dhe Avokates së Popullit, Erinda Ballanca.
“Më 16 maj 2019, në prag të 20 vjetorit të luftës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi “Rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë” (teksti i plotë i Rezolutës i është bashkëngjitur kësaj kërkese). Ndër të tjera, teksti i Rezolutës thekson se “Gjatë luftës së Kosovës, forcat e Serbisë dhe Malit të Zi, por më shumë të Serbisë, dëbuan mbi një milionë shqiptarë, vranë mbi 12 mijë persona, civilë të pambrojtur nga të gjitha etnitë, por shumica shqiptarë. U vranë mbi 1300 fëmijë, u dhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra dhe u bënë mbi 100 masakra… Janë gjetur varreza masive në Serbi. Shteti serb vazhdon të fshehë të vërtetën edhe për mbi 1600 persona të zhdukur. U shkatërruan mbi 100 mijë objekte banimi, ndërtesa shkollore, objekte fetare e kulturore, shkolla, xhami dhe kisha katolike”. Ndër të tjera, Rezoluta i referohet edhe Kartës së OKB-së, Konventës së Gjenevës, Konventës së Parandalimit dhe Dënimit të Krimit të Gjenocidit, raporteve dhe rezolutave të Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, me synimin për të njohur zyrtarisht e për të dënuar gjenocidin e Serbisë – një krim kundër shqiptarëve dhe njerëzimit”, thuhet në kërkesën e VV-së. Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës i hap rrugën krijimit të një gjykate për të hetuar e dënuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë, si dhe për ta ngritur këtë çështje në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe ndërqeveritare. Republika e Shqipërisë ka detyrimin moral, historik, politik, kombëtar dhe kushtetues që ta mbështesë Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përmes miratimit të një rezolute në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, që i referohet dhe përdor si bazë tekstin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës. Miratimi i kësaj rezolute në Kuvendin e Shqipërisë do të ishte hapi i domosdoshëm institucional drejt ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të kësaj çështjeje, duke ditur se Kosova nuk është ende anëtare me të drejta të plota në shumë prej organizatave ndërkombëtare dhe ndërqeveritare ku tashmë është anëtarësuar Shqipëria”.
LVV-ja e Shqipërisë ka thënë se e ka shtruar kërkesën për miratimin e kësaj rezolute në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë edhe më herët. Madje më 15 janar të këtij viti në një konferencë për media kishte kërkuar zyrtarisht miratimin e së njëjtës rezolutë.
“Jemi besimplotë se veprimi Juaj i shpejtë për mbështetjen dhe miratimin e kësaj rezolute në Kuvendin e Shqipërisë, do të mirëpritej jo vetëm në Shqipëri, Kosovë dhe mbarë kombin shqiptar, por edhe nga aleatët ndërkombëtarë që dhanë kontributin e tyre jetik dhe të gjithanshëm për çlirimin e Kosovës dhe ndaljen e gjenocidit të Serbisë. Data 15 janar 2021 duhet të na gjejë të bashkuar, duke shpallur e shënuar zyrtarisht në Shqipëri, ashtu si në Kosovë, “Ditën e përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë”. Shpresojmë në bashkëpunimin tuaj, për ta mbështetur publikisht dhe institucionalisht këtë iniciativë”, thuhet në kërkesën e LVV-së.