Më 20 tetor 2019, në Zvicër do të mbahen zgjedhjet parlamentare në nivelin federal. Diaspora shqiptare atje është e madhe në numër, e suksesshme në angazhimet e saj dhe e fuqishme ekonomikisht.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se interesat dhe të drejtat e shqiptarëve në Zvicër duhet të përfaqësohen sa më shumë edhe në nivelin institucional, ndërsa thekson se bashkatdhetarët tanë tanimë janë më të organizuar se më parë dhe po marrin pjesë në garë për këto zgjedhje.
“Nëpërmjet kësaj letre publike, Lëvizja Vetëvendosje mbështet kandidatët shqiptarë në Zvicër, të cilët garojnë në zgjedhjet parlamentare në nivelin federal, të cilat mbahen më 20 tetor, 2019”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
Disa nga këta kandidatë janë:
1. Shëndrit Sadiku, i cili garon në Kantonin Schaffhausen nëpërmjet Partisë Socialiste të Zvicrës
2. Ylfete Fanaj, e cila garon në Kantonin Luzern nëpërmjet Partisë Socialistë të Zvicrës
3. Arbër Bullakaj, i cili garon në Kantonin St.Gallen nëpërmjet Partisë Socialistë të Zvicrës
4. Islam Aliaj, i cili garon në Kantonin Zürich nëpërmjet Partisë Socialistë të Zvicrës
“Gjithashtu, nëpërmjet kësaj letre, Lëvizja Vetëvendosje mbështet të gjithë kandidatët shqiptarë, në të gjitha subjektet politike të cilat përpiqen për politika progresive dhe në të mirë të mërgatës shqiptare, dhe nxit shqiptarët në Zvicër dhe veçanërisht strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje atje, që të angazhohen në fushatat zgjedhore të të gjithë kandidatëve shqiptarë. Këto zgjedhje janë mundësia e diasporës tonë që të krijojë hapësirë për përparimin e të drejtave dhe interesave të kombit shqiptarë në Zvicër dhe më gjerë”, ka përfunduar VV-ja.