Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti për të diskutuar me liderët politikë rreth dialogut Kosovë-Serbi.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli konfirmoi për Ekonomia Online se nuk do të marrin pjesë në këtë takim, edhe pse ftesa për takim ende nuk i ka shkuar.
Sipas Pacollit VV-ja nuk do të marr pjesë pasi vlerëson se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet e as kredibilitet, andaj edhe ky takim është i panevojshëm.
“Ka disa informata që ka ardhë një ftesë por unë nuk e kam parë atë ftesë të zoti Hotit akoma. Ne qysh nga momenti kur kanë filluar të bëjnë këto lëvizje në koordinim me presidentin Thaçi, LDK-në dhe me partitë tjera që ta rrëzojnë një qeverisje të mirë siç ishte Qeveria Kurti dhe Qeveri e zgjedhur nga qytetarët e këtij me legjitimitet të plotë, kanë bërë që kjo qeveri të mos njihet si qeveri legale dhe legjitime”.
“Prandaj, për neve kjo është qeveri ilegale, jo-kushtetuese, jolegjitime dhe nuk mundet të marrë përsipër një çështje siç është dialogu dhe të shkojë të flasë në emër të shtetit të Kosovës”, tha ajo.
E pyetur se a mund të jetë arsyeja e takimit të Hotit në Uashington për arritjen e një marrëveshje me Serbinë, Pacolli tha se ai është kryeministër i dobët që varet nga presidenti Hashim Thaçi, raporton EO.
Ajo ka kërkuar që platforma për dialogun të sillet në Kuvend për diskutim.
“Prandaj ne nuk marrim pjesë në këtë takim. Fillimisht ai duhet ta sjellë platformën në Kuvend, për ta parë sesi do të shkojë, kush nënshkruan në emër të Kosovës, a nënshkruan ai apo Thaçi”.
“Pra ne e kemi thënë se presidentit Thaçi i nevojitet një kryeministër të dobët që të duket president i fuqishëm dhe të marrë vendime dhe këtë e ka arritur Thaçi”, tha ajo.
Deputetja e VV-së, u shpreh se takimi i 27 qershorit në Washington po mbahet për interesa të dy presidentëve, Thaçit dhe Vuçiqit.
Teksa ka folur për këtë takim, Pacolli thotë se ekziston një marrëveshje mes presidentëve që një pjesë e territorit të Kosovës t’i bashkohet Serbisë.
“Ky takim po bëhet për interesa të Thaçit dhe të Vuçiqit. Ky është një takim që është koordinuar me vite më radhë. Që nga viti 2018 ne e kemi parë një diskutim të tillë ku është folur për një marrëveshje e cila do të jetë kompromis i dhimbshëm për Kosovën dhe ne e kemi bërë këtë çështje problematike dhe kemi thënë që ka një projekt që një pjesë e territorit të Kosovës t’i jepet Serbisë në emër të arritjes së një marrëveshje të përbashkët”, u shpreh Pacolli.