Formimi i Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme, raporton Ekonomia Online.
Vetëm 33 deputetë kanë votuar pro mocionit për futjen në rend të ditës të formimit të Komisionit Hetimor parlamentar të propozuar nga PDK-ja për energjinë.
Nga 108 deputetë të pranishëm, 72 vota janë nevojitur që mocioni të kalojë.
“33 deputetë kanë votuar pro, prandaj ky mocion mbetet në seancën e ardhshme”, tha Konjufca.
Arben Gashi i LDK-së tha se pasi “u mohua një e drejtë kushtetuese”, LDK-ja do ta lëshojë sallën e Kuvendit.
“Meqënëse opozita iu mohua një e drejtë kushtetuese, GP i LDK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë mbledhje dhe e ne e lëshojmë sallën”, shtoi Arben Gashi i LDK-së.
Po ashtu, shefi i deputetëve të PDK-së, Ableard Tahiri, tha se ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë as në seancat e tjera, pasi dështoi të votohej mocioni rreth komisionit hetimor për sektorin energjetik.
“Kjo ishte hera e parë që propozohet themelimi i një komisioni hetimor. Sot mendoj që është bërë një veprim i dëmshëm nga mazhoranca. Si opozitë, kemi qenë konstruktiv, sot na u mohu një e drejtë parlamentare. Kjo është një padrejtësi e madhe. Si GP i PDK-së nuk do të marrim pjesë në votimet e mëtutjeshme as në seancat e tjera”, tha Abelard Tahiri.
Njëjtë deklaroi edhe Besnik Tahiri, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Mendoj që është një gabimi pafalshëm mosvotimi i këtij Komisioni Hetimor. Ne jemi të detyruar ta lëshojmë sallën, të mos marrim pjesë në votim dhe ta bojkotojmë një proces i cili realisht nuk është asgjë tjetër, një Komision Hetimor, një e drejtë legjitime, kushtetuese e kërkuar nga iniciuesi që u bllokua pa kurrfarë nevoje”, ka thënë Tahiri.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, ka thënë se nuk është e mundur që të formohet Komisioni Hetimor parlamentar i propozuar nga opozita pasi sipas saj nuk është proces i ligjshëm.
Kësisoj, tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK lëshuan seancën, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për pamundësim të votimit të këtij hetimi.