Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Për ta mbështetur Vitinë për kryetar të kryeqytetit ishte edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ai apeloi te qytetarët që ta votojnë Vitinë për kryetar, pasi siç tha ai do ta ketë përkrahjen e kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij.
“Vetëvendosja po ia ofron Prishtinës Arben Vitinë, e Arben Vitia po i’a ofron përkushtimin me projekte të mëdha. Krah do të jetë edhe Qeveria Kurti sepse ne jemi për Prishtinën dhe t’ia jepim Prishtinës një kryetar si Vitia. Për ta rregulluar kaosin për ta reduktuar ndotjen, e për ta gjelbëruar vendin. Ky kundër-kandidati që i ka dalë Arben Vitisë përballë, nuk do të bëjë asgjë tjetër por eventualisht ndonjë vilë për vete e për dostat e tij në Liqenin e Badovcit. Kjo nuk bën sepse bëhesh “Prapakthim Rama”. Arben Vitia nuk po garon për t’u pasuruar por për t’u gjetur afër kryeqytetasve vet, si dhe për ta qeverisur komunën së bashku me prishtinasit e vet”, tha Konjufca.
Ndërkaq përmes një video-mesazhi u paraqit kryeministri Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Forumin e Paqes në kryeqytetin francez që u organizuar nga presidenti Emanuel Macron.
“I dashur Arben, kryetar i ardhshëm i komunës së Prishtinës. Nga zgjedhet e 14 shkurtit, deri më sot e dimë që vendimet që i kemi marrë kanë sjellë suksese dhe rezultate konkrete. Bashkë me Benin, kemi punuar dhe do të punojmë që të sjellim vlerat e barazisë, drejtësisë dhe të zhvillimit e bashkë t’i zgjidhim problemet e vazhdueshme të kryeqytetit”.
“Prishtinës i duhet më shumë trotuare e ndriçim, më shumë çerdhe e parqe, më shumë qendra rinore e inovative, më shumë rend e rregull e më shumë dije e besim. Vota për Benin të dielën, është votë për të filluar punët e mira e të mëdha që e presin komunën. Është votë për të fuqizuar lagjet e fshatrat tona, për të mbështetur familjet tona, është votë për një Prishtinë të jetueshme e të barabartë. Vota për Benin e Lëvizjes, është votë për të gjitha gjërat që i kemi arritur në shtaë muajt e fundit, e për t’i vazhduar”.
Kurti ka bërë thirrje që të votohet kandidati për kryeqendrën, Arben Vitia, pasi “vota për Benin të dielën është votë për të filluar punët e mira të mëdha që e presin komunën”, njofton Klankosova.tv.
“Kudo që po shkoj, po kam mundësi të flas për gjërat e mëdha që po bëjmë në Kosovë. Njerëzit janë të mrekulluar dhe veçanërisht duan të dëgjojnë për programin tonë kombëtar të vaksinimit, për të cilin përgjegjës është Arben Vitia. Ky njeri na e zbardh fytyrën në çdo detyrë që ia besojmë e prandaj duhet të udhëheqë me kryeqendrën”, u shpreh Kurti.