Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka organizuar pritje për bashkatdhetarët në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i kësaj partie Xhelal Sveçla, tha se ky është takimi i dytë këtë vit me bashkatdhetarët krejt kjo me qëllim për t’i diskutuar problemet e këtyre të fundit.
“Tashmë jemi në legjislacionin e gashtë që po përfundon më 22 gusht dhe po shpresojmë që legjislacioni i tjetër jo vetëm të jetë më kualitativ, por edhe sinonim i ndryshimit aq shumë i nevojshëm në Kosovë”.
“E më pas, tha se kjo vizitë është e planifikuar ndër të tjera që janë mbajtur e do të mbahen. Ky është takimi i dytë me mërgatën, do të kemi dhe një dhe këto janë pjesë e planifikimit të mëhershëm. Prandaj qëllimi i VV-së është që ta njoftojë sa më mirë këtë mërgatë tonë”.
Durim Elezi që jeton në Zvicër, tha se nuk po bëhet asgjë për mërgimtarët nga ana e institucioneve, pasi sipas tij, mërgimtarët ende po shihen si burim i të ardhurave.
“Asgjë nuk bëhet, hiç sepse mërgimtarët këtu shihem si në fund, si thes i madh ku ti mundesh me shku me marr para pa fund. Këtu e dinë që mërgimtari e jep edhe shpirtin”.
“… është dëshmuar edhe gjatë kohës së luftës, kanë ardhur atje me ndërtuar për këtë vend prandaj nuk bëhet asgjë, vazhdohet të keqpërdoret mërgimtari”.
Shukrije Shema, aktiviste nga Zvicra, bëri thirrje që të gjithë deputetët të bashkohen jo vetëm për të mirën e Kosovës, por edhe të bashkatdhetarëve, raporton EO.
“Thirrja imë për deputetët e Kuvendit është që të bashkohen të gjithë për të mirën e Kosovës sepse ka nevojë, është moment i fundit që duhet të bëjmë diçka”.
“Edhe për ne bashkatdhetarët të kemi mundësi shumë më të mirë për me votuar atje sepse ne duhet të udhëtojmë me ardhur në vendlindje me votuar, prandaj kish qenë mirë nëse na mundësohet me votuar prej atje”.