Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë ka denoncuar, siç thonë ata, vjedhjen e mbi 50 mijë eurove që është bërë në projektin e ndërtimit të objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.
“Sipas Raportit të Auditorit për vitin 2018, vetëm në projektin ‘Ndërtimi i objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakove’ janë vjedhur 51,198.50 euro, më saktësisht 6 dyer, disa ngrohëse dhe ftohëse, ventilim, instalime elektrike të ndryshme, lajmëruese të zjarrit etj. Të gjitha këto janë pranuar si punë të përfunduara, janë ‘verifikuar’ dhe janë paguar pas nënshkrimit kriminal të menaxherit të kontratës”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, Vetëvendosje thotë se në Gjakovë me kërkesë të Drejtorisë së Shëndetësisë nuk respektohet ligji që liron nga pagesa mbi shërbimet në QKMF, QMF dhe AMF të gjithë pensionistët, nxënësit, studentët, gratë shtatzëna, personat me aftësi të veçanta, personat me sëmundje kronike etj.
Ky subjekt politik thotë se sistemi primar shëndetësor po degradohet edhe prej punësimeve të militantëve partiakë.
“Se sa i politizuar është sistemi primar shëndetësor në Gjakovë tregon fakti i punësimeve të tezejakve, çikave të dajëve, grave të drejtorëve dhe militantëve të tjerë partiakë në QKMF dhe QMF-të e Gjakovës. Kështu po degradohet dhe devalvohet sistemi shëndetësor dhe çdo vlerë mjekësore. Sikur të mos mjaftonte kjo kryetari i komunës personalisht nënshkruan vendime të jashtëligjshme për punësimin e militantëve partiak në QKMF, pa konkurs dhe pa njoftime publike”, vijon deklarata.
Lëvizja Vetëvendosje si përgjegjës kryesorë për këto e bën kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini dhe drejtoreshën e Shëndetësisë, Adelina Shehu Kola. Ata kanë ftuar Prokurorinë e Shtetit që urgjentisht dhe me prioritet të trajtojë këto çështje.
“Përgjegjësit duhet të mbahen para përgjegjësisë dhe drejtësisë. Ndërsa kryetari kauboj duhet të ndalet me këto praktika ose do e ndalin qytetarët e Gjakovës dhe ligjet e Kosovës”, përfundon deklarata.