Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka bërë me dije se nga dje Albulena Haxhiu më nuk është Kryetare e Kuvendit apo si u.d së Presidentes.
Ai ka vlerësuar se nëse nga dje Haxhiu vazhdon të nënshkruaj në këto cilësi, atëherë ajo bënë shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se në këtë rast duhet të veprojë prokuroria.
“Sot dhanë betimin deputetët e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë ka përfunduar çdo funksion i Legjislaturës së 10-të. Albulena Haxhiu nuk është më Kryetare e Kuvendit dhe as u.d së Presidentes. Ajo ishte Kryetare e Kuvendit të Legjislaturës së 10-të. Pa votimin dhe zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit të Legjislaturës së 11-të, nuk ka as ushtruese të detyrës të Presidentit. Nëse Albulena Haxhiu, nga sot, nënshkruan si Kryetare e Kuvendit apo si u.d së Presidentes, kjo është anarki e plotë dhe shkelje e ligjeve dhe e Kushtetutës së Kosoves, sepse, me dhënien e betimit, ajo është vetëm deputete, e barabartë me 119 deputetët e tjerë të Kuvendit. Në një shtet normal demokratik, kur dikush uzurpon pozita shtetërore për të cilat nuk është zgjedhur, është “grusht shtet” dhe Prokuroria duhet të veprojë menjëherë”, ka shkruar Haxhiu, duke shtuar se nëse prokuroria nuk vepron, duhet të veprojë populli.
“Kur Prokuroria nuk vepron, atëherë qytetarët duhet të veprojnë për t’i mbrojtur institucionet, të cilat i kemi ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë. Këto që po ndodhin në Kosovë nuk janë zhvillime normale. Janë veprime në dëm të shtetit të Kosovës, të projektuara nga Albin Kurti dhe Dejona Mihajlli. Qëllimi është i qartë, të lodhet populli me zgjedhje, deri në nënshtrim”, ka shkruar ai.