VV konfirmon takimin Kurti-Haziri, thekson nevojën e bashkëpunimit VV-LDK

Prishtinë | 25 Gus 2017 | 13:44 | Nga

Vetëvendosje përmes një njoftimi për medie, pak më parë konfirmoi për takimin e sotshëm që ka pasur i nominuari i saj për kryeministër të vendit, Albin Kurti, me po ashtu të nominuari për kryetar të Gjilanit, njëherë nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri.

Njoftimi i plotë i VV-së:

Sot, në mëngjes, në sallën e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, në Kuvendin e Kosovës, deputeti dhe i nominuari për kryeministër i Lëvizjes sonë, z.Albin Kurti, priti në takim nënkryetarin e LDK-së, z.Lutfi Haziri, thekson njoftimi. Ata diskutuan për situatën e përgjithshme politike në Kosovë dhe për bllokimin institucional të shkaktuar nga PAN-i. Në veçanti, ata konsideruan nevojën e bashkëpunimit midis LV dhe LDK (përkatësisht LAA) për trajtimin dhe harmonizimin e programeve politike e qeverisëse, për çfarë ngarkohen z.Dardan Sejdiu dhe z.Avdullah Hoti që me ekipet respektive të zhvillojnë dhe intensifikojnë takimet dhe bisedimet e përbashkëta në ditët në vijim, thuhet në fund të njoftimit.

Kryetari i LDK-së dhe njëherish kryeministri në detyrë, Isa Mustafa gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar të Prishtinës tha se do të bëjnë përpjekje maksimale për konstituimin e Kuvendit. Në lidhje me këtë, Mustafa deklaroi se nuk do të bashkëpunojnë me PDK-në, por tha që me VV-në janë të hapur nëse mund të arrijnë një program të përbashkët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme