Një delegacion nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, në 21-vjetorin e Epopesë së UÇK-së në Dukagjin.
Delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje i prirë nga deputetët Rexhep Selimi e Shemsi Syla dhe aktivistë e zyrtarë nga shumë qendra të Lëvizjes, bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan me rastin e 21-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që shprehte intensitetin më të lartë të vullnetit të popullit të Kosovës ishte shtysa vendimtare për çlirimin e vendit. Pa këtë vullnet dhe angazhim nuk do të kishte as ndihmë nga jashtë as çlirim të Kosovës. Egërsia e pushtetit kriminal të Serbisë u mposhtë nga vullneti i madh i popullit të Kosovës për t’u dekolonizuar. Strukturat kriminale krejtësisht të robotizuar u mposhtën nga ndjenja e thellë njerëzore për t’u çliruar dhe për të qenë i barabartë sikur gjithë popujt e tjerë”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.