Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës janë në një linjë të mendimit në komunën e Artanës për të caktuar një kandidat për kryetar të kësaj komune që vjen nga shoqëria civile dhe përfaqëson të gjithë shqiptarët meqë në Artanë ata janë pakicë.
Por, kësaj nisme të Vetëvendosjes nuk i është bashkuar Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila aktualisht ka nënkryetarin, Bajrush Ymeri, në qeverisje.
Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Artanë, Abdyl Gashi, ka thënë se janë të gatshëm që të pranojnë edhe propozimin e LDK-së për kandidat për kryetar komune.
“Kemi tentuar t’i bëjmë bashkë të gjitha subjektet politike, dukë përfshirë edhe LDK-në që është në qeverisje lokale, por s’kemi gjetur gatishmëri meqë synojnë se gjoja janë më të fuqishëm në këtë komunë”.
Gashi tha se nuk kanë nënshkruar ndonjë marrëveshje me PDK-në, por vetëm se gjetën mbështetje.
“S’është arritur marrëveshje për një kandidat konsensual, por kemi parë gatishmëri te PDK-ja për të gjetur një kandidat. Vetëvendosje ka ofruar bashkëpunim për krejt subjektet politike. Këtë po kërkojmë sepse është një komunë specifike dhe me decentralizim që ka pasoja të mëdha. Është komunë e bllokuar. Nëse shkon në ora 14:00 për të kryer ndonjë shërbim e sheh se ka mungesë edhe të stafit”, ka thënë Gashi në Klan.
Gashi ka thënë se Vetëvendosje është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha partitë shqiptare nëpër komunat me shumicë serbe për të dalë kundër Listës Serbe, për të cilën tha se partia e tij e konsideron dorë të zgjatur të Beogradit.
Po ashtu, ai njoftoi se në Artanë Vetëvendosje ka pezulluar kandidaturën me synimin që t’i bëjë bashkë partitë politike për të garuar me një kandidat.