Në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal të Drenasit, që kishte pikë të rendit të ditës shqyrtimin dhe miratimin e draft buxhetit për vitin 2017, këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë bërë të pa mundur votimin e buxhetit, duke i braktisur punimet.
LVV në Drenas konsideron se buxheti i përpiluar kishte mangësi dhe defekte të mëdha.
Përmes një komunikate për medie, ata thonë se tek lista për investimet kapitale nuk ishin përfshirë të gjitha fshatrat, dhe nuk kishte informata se cilat projekte kapitale janë më prioritet për banorët e fshatrave.
“Përveç kësaj, buxheti nuk ishte ndarë sipas nevojave në sektorë të ndryshëm, duke e lënë Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me një buxhet që nuk i përmirëson shërbimet mjekësore e as nuk garanton ndihmë ndaj shtresave të rrezikuara në Komunën tonë. Për më tepër, në këtë buxhet ishte paraparë që të blihet një veturë për Drejtorinë e Financave. Më gjithë këto të meta, këshilltarët e partisë në pushtete (PDK) filluan që të bëjnë pazare në mes vete, duke e ndryshuar listën e investimeve kapitale në dëm të fshatrave që nuk janë të përfaqësuar me këshilltarë në Kuvendin Komunal.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që të hartohet një buxhet duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe duke pasur parasysh numrin e qytetarëve në fshatra, si dhe gjendjen në terren.
“Ne poashtu kërkojmë që buxheti të jetë gjithëpërfshirës dhe i balancuar. Derisa nuk ndërrojnë politikat e padrejta dhe të paarsyeshme buxhetore, këshilltarët e Lëvizjes nuk do të votojnë asnjë buxhet që nuk përfaqëson kërkesat dhe nevojat e qytetarëve”, thuhet në komunikatën e tyre.