Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje i prirë nga kryetari Visar Ymeri dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetare e Qendrës së LVV-së në Vushtrri, Aida Dërguti, bënë sot homazhe në varrezat e “Martirëve të Kombit” në fshatin Studime të Komunës së Vushtrrisë, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.
Ata, thotë kumtesa, nderuan të rënët e masakrës së 2 Majit të vitit 1999, e kryer nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në këtë fshat, në të cilën u vranë dhe u masakruan në mënyrën më barbare 116-të civil të pafajshëm.
Sipas kumtesës, Vetëvendosje shprehet e indinjuar që për këtë masakër nga e cila kanë kaluar plotë 18-të vite, akoma nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për krimet e kryera.
“Ne nuk do t’i harrojmë e as nuk do t’i falim krimet dhe kriminelët që i kryen ato”, thuhet në komunikatë.