“Nga këto përgjime të autorizuara nga Gjykata, këtë herë nga goja e protagonistëve të shtetit të kapur, kuptohet ajo që qytetarët e Kosovës e kanë ditur gjithmonë – skema e organizuar që republikën e ka kthyer në plaçkë dhe pushtet personal”, tha Konjufca.
Skema është kjo: dy shtyllat kryesore të krimit të organizuar politik në Kosovë janë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Dora e zgjatur e tyre, që i ekzekuton projektet e shtetit të kapur është Adem Grabovci. Ai konsultohet me këta të dy dhe e organizon punësimin sistematik të të gjithë militantëve partiakë nëpër agjenci të pavarura.
Këto agjenci pastaj, në vend që të punojnë për interesin e shtetit dhe mbrojtjen e interesit nacional, ato vihen në shërbim të klanit Thaçi e Veseli, pushtetit të tyre, pasurisë së tyre dhe miqve e familjarëve të tyre.
“Kjo skenë e kriminalizuar e privatizimit të Republikës tonë për përfitime personale nuk është e rastësishme që po na sjellë marrëveshje të dëmshme për vendin siç janë Zajednica e marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi. Këta njerëz siç po vërehet edhe në publikime, tregojnë janë të shantazhuar prej korrupsionit që janë zhytur. Këta njerëz nuk kanë legjitimitet të marrin vendime madhore për shtetin dhe shumë prej vendimeve që deri tashmë kanë marrë duhet të rishqyrtohen”, ka thënë ai më tej.
Deputetja Albulena Haxhiu tha se ky skandal gjithkund në botë do të përbënte problem, ndërsa në Kosovë ky regjim përmes mekanizmave që kontrollon, po mundohet ta kalojë në heshtje dhe të bëhet thuajse s’ka ndodhur asgjë.
“Sot e kemi shumë të qartë se pse prokuroria dhe gjykatat në Kosovë i vërsulen opozitës e qytetarëve dhe asnjëherë kriminelëve që e drejtojnë shtetin”, tha Haxhiu.
“Në vetëm 1 përgjim, nga 1000 sosh, përmenden 4 emra që lidhen me sistemin e drejtësisë. Përgjimet po tregojnë se si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, si kokat e krimit në Kosovë, e bënë Sylë Hoxhën kryeprokuror të Prizrenit; Sali Mekajn e bënë kryetar të Gjykatës së Apelit; Haxhi Dërgutin që ishte prokuror në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës, më vonë e bën kryeprokuror të Prokurorisë së Apelit; Bahri Hysenin e zgjodhën anëtar të KOSST-t pa konkurruar fare, ndërsa aktualisht është anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës”.
“Është e qartë se pse Kadri Veseli na thoshte drejtojuni prokurorisë, sa herë që i thoshim kriminel. Ai ishte komod sepse e dinte që prokuroria dhe gjyqësia janë të kapura e kriminalizuara nga vetë ai dhe Hashim Thaçi. Sot faktet po dalin sheshit, dhe prokuroria do të duhej të vepronte vetë”.