E kam thënë edhe herë tjera se Kryeminisitri Kurti do të tentojë në vazhdimësi që humbjet e tij juridike në Gjykatën Kushtetuese t’i shndërrojë në fitore politike partiake.
Njëjtë paska vepruar edhe dje. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi shkeljet e bëra nga pushteti me anë të Ligjit për Këshillin Prokurorial, e ka konsideruar si përpjekje mjerane të opozitës dhe institucioneve juridike, kundër angazhimit të tij për ta luftuar korrupsionin.
Në fakt kryeministri Kurti nuk është i interesuar ta luftojë këtë të fundit. Sepse ai e dinë që kjo punë në një demokraci kushtetuese nuk mund të bëhet kundër rendit kushtetutues. Ose të paktën duhej ta dinte. Por, nën emrin e kësaj lufte ai tenton t’i shtrijë tentakulat e tij të pushtetit mbi cdo institucion nominalisht të pavarur.
Askush nuk po thotë se në përmbajtje në të kaluarën ato ishin të pavarura. Dhe nuk i nënshtroheshin presionit politik dhe partiak. Por të paktën në formë e ruanin pavarësinë. Dhe për aq kohë sa forma ekziston atëherë edhe mundësia e kritikës dhe presionit për korrigjim të realitetit në përputhje me formën ideale nuk mund te zhbëhet.
Dhe partitë opozitare me dërgimin e kësaj lënde në Gjykatë Kushtetuese ia dolën që ta mbrojnë formën ideale të demokracisë kushtetuese. Dhe kjo nuk është pak. Mirëpo, problemi është se kjo mbrojtje ishte punë e pastër juridike e përfaqësuar nga një avokat i suksesshëm. Dhe nuk shënon ndonjë fitore të tyre politike.
Mbase ky paradoks, e pasqyron dallimin ndërmjet pushtetit dhe në këtë rast PDK-së. Që derisa i pari humbjet juridike dhe kushtetuese po i shndërron në fitore politike, e kundërta po ndodh me opozitarizimin e kësaj partie, që sukseset juridike nga puna profesionale e përfaqësuesit zyrtar juridik nuk po arrinë t’i kapitalizojë në fitore politike. Ngase aktivitetin politik nuk e zëvendëson vetëm përfaqësimi ligjor.