VV: Qeveria po e shpërfill fatin e të pagjeturve

Prishtinë | 07 Tet 2020 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla refuzuan ftesën e deputetëve për të raportuar për të pagjeturit në komisionin parlamentar.

Sipas LVV-së, kjo mosparaqitje për raportim është dëshmi se Qeveria po e shpërfshill fatin e të pagjeturve.

“Kësisoj, refuzimi i mëhershëm i Driton Selmanajt dhe refuzimi i sotëm i Avdullah Hotit dhe Meliza Haradninaj Stubllas, janë dëshmi e shpërfilljes së tyre dhe të kësaj Qeverie të fatit të personave të pagjetur. Të pagjeturit po përdoren si monedhë për kusuritje dhe kushtëzim kinse me kthimin e personave të zhvendosur.”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e LVV-së.

Vetëvendosje thotë se Serbia duhet të detyrohet t’i kthejë të pagjeturit. Kthimi i tyre, sipas LVV-së, do të duhej të ishte kusht për fillimin e dialogut.

“Zbardhja dhe kthimi i të pagjeturve është domosdoshmëri dhe duhet të jetë detyrim për Serbinë. Familjet e personave të pagjetur meritojnë të kenë përgjigjen për fatin e të dashurve të tyre dhe kthimin e trupave në tokën e Kosovës. Gjetja dhe kthimi i trupave do të duhej të ishte kusht për fillimin e dialogut e kurrsesi njëra nga temat që konsiderohen si të ezauruara për të mbetur e mbyllur pa zgjidhje”.

Qëndrimin e delegacionit të Kosovës që mori pjesë në takimin me Serbinë në Washington, LVV e ka konsideruar fyes për viktimat dhe popullin e Kosovës.

“Qëndrimi i këtij delegacioni ishte fyes dhe ofendues për të gjitha viktimat dhe popullin e Kosovës. Fyes dhe shpërfillës mbetet edhe sjellja e kësaj Qeverie. Çështja e të pagjeturve dhe viktimave të dhunimeve do të duhej të ishte prioriteti themelor i institucioneve si kërkesë e padiskutueshme dhe e pakushtëzuar. Serbia ka ndjekur politika shtetërore gjenocidale dhe për këtë çështje nuk mund të ketë kurrfarë justifikimi e kushtëzimi”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme