Lëvizja Vetëvendosje nuk i beson dhe e quan jokredibil raportin e autopsisë për vdekjen e aktivistit të saj, Astrit Dehari, të publikuar në një konferencë për media nga kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha.
Nëpërmes një deklarate për shtyp, VV njofton se sot, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, e ka marrë Raportin e Autopsisë. Aty konfirmohet se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia mekanike, nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë.
Por, VV thekson se Kryeprokurori Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet.
“Ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë obduksionit, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra”
Sipas Vetëvendosjes, në këtë Raport nuk shpjegohen lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes (asfiksisë) dhe shkaktarit të vdekjes (dëmtime të vetëshkaktuara “hezituese”).
“Raporti është dhe konkluzioni i tij mbi shkaktarin e vdekjes është i pabesueshëm”.
VV thotë se do të nevojiten disa ditë që mjekët Besim Ymaj e Besim Latifaj ta analizojnë këtë Raport të Autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të obduksionit.