Shumë rrugë të qytetit, përfshirë edhe ato ku ka institucione publike janë krejtësisht të pandriçuara. Këto u thanë nga asambleistja Arbresha Kryeziu – Hyseni dhe aktivisti Luan Aliu gjatë konferencës.
“Tenderi për Sanimin dhe Mirëmbajtjen e Ndriçimit Publik në Qytet, është publikuar më 26 shkurt të këtij viti, ofertat për të cilin i kanë dorëzuar 8 operatorë ekonomik. Nga këto 8, janë përzgjedhur 4, të cilat kanë pasur çmimin më të ulët, ndërsa më 11 maj është shpallur fitues kompania Viva Print. Pas ankesave të njërit operator ekonomik, se kjo kompani nuk i përmbushë kriteret e tenderit, më 8 qershor është dhënë njoftimi për anulimin e tenderit”.
Sipas Kryeziu-Hysenit, me ndriçimin në këtë komunë janë duke u bërë pazare në dëm të qytetarëve.
“Të gjitha këto lojë e pazare janë në kurriz të qytetarëve të cilët nuk e gëzojnë ndriçimin publik si një të drejtë elementare, përkundrazi përballen me pasoja nga në qeverisje mesjetare”.
“Më 28 qershor janë njoftuar dy kompanitë, që njëra nuk i ka përmbushur kriteret për shkak të mungesës së kapacitetit teknik, që mesa duket ka qenë vetëm arsyetim, sepse po të kishte ekzistuar në të vërtetë, do të njoftohej qysh në fillim dhe nuk do të kualifikohej si kompani e përgjegjshme dhe tjetrën si të pasuksesshme, e që është Viva Printi. Pra, tani na del që janë dy kompani të pakënaqura dhe që kanë parashtruar ankesë deri edhe në OSHP, e që janë Viva Print dhe Toni. Ndërsa, së fundi, OSHP ka dhënë vendimin e saj dhe e ka kthyer tenderin në ri-vlerësim, që do të thotë ky tender do të kalojë dhe një herë nëpër të gjitha procedurat e vlerësimit”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.