Shtatë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës “Guxo” tërhoqën rreth 11 mijë euro nga Fondi Pensional i Kosovës pas ndryshimit të Ligjit për Fondet Pensionale më 2020.
Ministrat Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Faton Peci, si dhe deputetët Visar Korenica, Jeta Statovci, Adnan Rrustemi dhe Arijeta Rexhepi, shfrytëzuan mundësinë e tërheqjes së 10 për qind të mjeteve nga Trusti Pensional më 2020, ndonëse ndryshimet ligjore asokohe ishin kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan “Paparaci”.
Një iniciativë tjetër për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale, është iniciuar së fundmi nga deputeti i opozitës, Bekim Haxhiu.
Por, pushteti aktual qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje ka kundërshtuar hapur propozimin e opozitës, sikundër kishte ndodhur dy vjet më parë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se tërheqja e mjeteve nga Trusti Pensional “nuk është zgjidhje” për përballimin e krizës së çmimeve.
“Nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin”, ka thënë Kurti të hënën.
Megjithatë, qëndrimin e shefit të qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e kishin përfillur shtatë anëtarët e shumicës qeverisëse dy vjet më parë.
Bazuar ne deklarimet e pasurisë më 2021, shtatë ministra e deputetë aktual të pushtetit qeverisës kanë tërhequr rreth 11 mijë euro nga Trusti Pensional i Kosovës më 2020.
Ministrja Albulena Haxhiu tërhoqi 2 mijë e 390 euro, apo 10 për qind të kursimeve të saj në Fondin Pensional, bazuar në të dhënat e Agjencisë Kundër-Korrupsion. Ministri Liburn Aliu tërhoqi 2 mijë e 658 euro, ndërkaq kolegu i tij, Faton Peci, nxori nga 918 euro nga kursimet e tij individuale.
Rastin për t’u pasuruar nga kursimet e Fondit Pensional, e kishin shfrytëzuar edhe katër deputetë të Grupit Parlamentar të LVV-së.
Adnan Rrustemi, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe deputet i LVV-së, tërhoqi 2 mijë e 84 euro nga kursimet e tij në Fondin Pensional. Kolegia e tij, Arijeta Rexhepi tërhoqi 1 mijë e 200 euro.
Visar Korenica u pasurua për 1 mijë e 762 euro nga tërheqja e kursimeve të tij pensionale.
Jeta Statovci, e Listës “Guxo”, tërhoqi 480 euro pas ndryshimit të Ligjit për Fondin Pensional.
Sipas të dhënave të institucioneve qeveritare, afër 200 milionë euro ishin tërhequr nga Fondi Pensional i Kosovës më 2020.
Mbi 420 mijë kontributpagues ishin përfshirë në tërheqjen e mjeteve të kursyera të tyre. Tërheqja ishte mundësuar pas miratimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Bekim Haxhiu, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës i cili inicioi propozimin ligjor për tërheqjen e kursimeve nga Trusti, ka thënë se janë 12 deputetë të shumicës qeverisëse të cilët mbështetin ndryshimet ligjore në Fondin Pensional. /Paparaci.com