Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar qeverinë e tanishme për punësimin e militantëve dhe familjarëve të partive në pushtet në ndërmarrjen Telekomi, raporton Ekonomia Online.
Ata thanë se vetëm gjatë vitit 2018-të në Telekom janë punësuar mbi 200 persona.
Lëvizja Vetëvendosje po konsideron se Telekomi është shkatërruar në vitet e fundit dhe punësimet sipas tyre, i dhanë goditje kësaj ndërmarrje.
Fatban Bunjaku nga Komiteti për komunikime elektronike dhe postare në Lëvizjes Vetëvendosje ka përmendur tri metoda të cilat sipas tij po i përdorë Qeveria aktuale e të cilat siç tha ai po e shkatërrojnë Telekomin.
Ato sipas tij janë , degradimi i Telekomit, kontrata e dëmshme si dhe punësimet partiake.
“Në vitet e fundit kjo ndërmarrje është shkatërruar. Janë tri metoda që Qeveria aktuale po i përdorë. Degradimi, kontratat e dëmshme, kontrata me z-mobile dhe punësimet partiake. Kjo është pjesëmarrje e drejtpërdrejt në krim. Kemi arritur t’i identifikojmë mbi 50 persona që janë punësuar. Gjatë javës që e lamë pas është hapur konkurs për punësimin e 100 deri 200 personave. Kjo duket qartazi që në shpejtësi edhe 200 persona do ta zhvatin Telekomin e Kosovës. Pushteti e ka vendosur gruan e deputetit Mërgim Lushtaku, në Telekom e cila nuk shkon në punë gati kurrë”, ka thënë ai, raporton EO.
Valdrin Ahmeti, aktivist i Vetëvendosjes, ka dhënë shifra që sipas tij janë punësuar së fundi në Telekom.
“Vetëm në vitin 2018 në Telekom janë punësuar mbi 200 persona që i bie rritje prej 8.5% e numrit të përgjithshëm të punëtorëve të kësaj kompanie. Prej këtyre 200 punëtorëve mbi 100 janë të regjistruar si agjent të shitjes në këtë kompani. Më e rënda është që gjatë vitit 2018 në bazë të publikimit të ARKEP (Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare) nr.04/2018 thuhet se gjatë vitit 2018 edhe sipas të hyrave edhe sipas përdoruesve Telekomi i Kosovës ka shënuar rënie. Tek përdoruesit nga 56% e tregut në fund të vitit 2017 në 50 % e tregu në fund të 2018-tës. Ndërsa nga të hyrat nga 55.5% e tregut në fund të vitit 2017 në 52.2% të tregut në fund të vitit 2018″, tha ai.
Ai ka paraqitur me fotografi disa të punësuar në Telekom, emrat e të cilëve lidhen me njerëz të politikës dhe militantë të partive në pushtet.
“Naser Bujupi, burri i deputetes Donika Kadaj-Bujupi; Besa Shtari, gruaja e deputetit Bekë Berisha; Besart Reçica, familjar i Elmi Reçices; Albulenë Bekteshi, gruaja e shefit të kabinetit të Pal Lekaj dhe afër 50 persona të tjerë”, ka thënë ai.
Ahmeti listoi me emra dhe fotografi lidhjet familjare e partiake të të punësuarve të vitit të fundit në Telekomin e Kosovës.
Ky është vetëm fillimi i denoncimeve të proceseve përmes të cilave këta qeveritarë qëllimshëm po tentojnë ta shkatërrojnë Telekomin në mënyrë që ta privatizojnë mëtej.