Ish-ambasadori i OSBES-së, William Walker, pas takimit me kryetarin e VV-së tha se i tha Albin Kurtit se Qeveria duhet të formohet sa më shpejt, raporton Ekonomia Online.
“Kjo punë duhet të kryhet pasi qytetarët këtë e presin, kanë kaluar 100 ditë pas zgjedhjeve dhe qeveria duhet të formohet sa më shpejt”.
I pyetur nëse Kurti e informoi për negociatat me LDK-në, Walker u shpreh se nuk kanë biseduar për detajet, por që është gjithmonë kënaqësi të bisedoj me z. Kurtin.
“Vendi pa qeveri është vështirë shtet. Juve ju duhet një qeveri. Pritshmëritë janë të mëdha, se ju keni një mundësi, me një njeri të ri. Jam shumë i interesuar të shoh se kur kjo do të ndodh dhe shpresoj se do të ndodhë së shpejti”, u shpreh Walker pas takimit me Kurtin.
Walker gjithashtu ka thënë se bisedimet për ndarjen e posteve janë metodë e vjetër e një sistemi të vjetër.
Përderisa Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi në Facebook ka njoftuar për takimin që kanë pasur me William Walker ish ambasador i OSBE në Kosovë.
Sipas tyre në takim është biseduar për situatën politike në vend dhe krijimin e shpejt të institucioneve të reja.
Njoftimi i plotë:
Sot, Kryetari Albin Kurti së bashku me Nënkryetarin e Lëvizjes Besnik Bislimin priti në takim ambasadorin e mirënjohur, mikun e Kosovës, z. William Walker.
Në prag të përvjetorit të 21-të të masakrës së Reçakut, u diskutua për rëndësinë e historisë në politikë, për përpjekjet nga Serbia për të mohuar krimet dhe për domosdoshmërinë e drejtësisë dhe zhdëmtimi për viktimat.
Në këtë takim miqësor u diskutua edhe për situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
Të dyja palët shprehën interesim që qeveria duhet të formohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe vullneti politik i qytetarëve për ndryshim, i shprehur me 6 tetor, të jetësohet sa më parë.