Zhbllokimi i perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian është parakusht për ringjalljen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, thotë Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politika të Demokratizimit në Berlin.
Sipas tij, ky zhbllokim duhet të ndodhë, ndërmjet Qeverisë gjermane dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Pa plotësimin e parakushteve, ai shprehet mjaft skeptik se të dërguarit e posaçëm të BE-së dhe SHBA-së, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, mund të rinisin një dialog serioz Kosovë-Serbi.
Raportet e tensionuara ndërmjet të dyja vendeve, sipas tij, më shumë i konvenojnë Serbisë, ndërkaq palën e Kosovës e sheh në një pozicion politik shumë më parimor ndaj negociatave.
“Në përgjithësi, unë këtë e shoh si përpjekje për të ngjallur negociatat, të cilat nuk kanë lëvizur nga pika e ngecjes që nga viti i kaluar, pavarësisht ardhjes në pushtet të administratës së (presidentit të SHBA-së, Joe) Bidenit. Por, jam mjaft skeptik dhe nuk besoj se do të kenë sukses. Kemi parë vitin e kaluar që angazhimi i forcuar nuk është se sjellë rezultate. Ndërkaq, këtë vit, kam frikë se e kemi situatën e njëjtë. Thjesht, mungojnë parakushtet e caktuara që të arrihet deri te diçka serioze, që është e nevojshme tash e disa vjet dhe që është rinisja më në fund e bisedimeve për marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Janë të paktën dy parakushte. Së pari, duhet të arrihet deri te zhbllokimi i perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse ky është parakusht i rëndësishëm që BE-ja të ketë fare ndikim në Serbinë, në kuptimin e një marrëveshjeje përfundimtare, e cila – siç e kanë të gjithë të qartë – duhet të përmbajë më në fund edhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”, është shprehu ai për Radio Evropa e Lirë.
Ndërkaq, sipas tij, parakushti i dytë, ku ende nuk kemi arritur, ka të bëjë me këtë zhbllokim, i cili duhet të ndodhë, ndërmjet Qeverisë gjermane, e cila angazhohet për ringjalljen e politikës së zgjerimit dhe presidentit francez, (Emmanuel) Macron, i cili ka qenë frenuesi më i madh i perspektivës së anëtarësimit. Kur ky parakusht të përmbushet, atëherë duhet të arrihet deri te diçka e ngjashme, të cilën zoti Lajçak dhe Escobar po përpiqen ta bëjnë në fund të këtij muaji. Ky është një lloj rifillimi (i bisedimeve), por unë mendoj që ky rifillim do të duhej të vinte nga niveli më i lartë i Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, gjegjësisht, gjithsesi nga Berlini dhe Uashingtoni.
Weber, thotë tutje “Se a do të jetë kjo në nivelin e presidentëve dhe kancelarit apo mbase është e mjaftueshme në nivelin e ministrave të punëve të jashtme, kjo çështje është më pak e rëndësishme. Por, gjithsesi kjo do të duhej të bëhej në nivelin e lartë”.
“Pra, si konkludim, këto vizita të paralajmëruara unë i shoh si tentim të lëvizjes së dialogut nga pika e ngecjes, dialog ky i cili nuk çoi askund as vitin e kaluar, por që nuk po shoh se ka parakushte këtu për ndonjë fryt”, u shpreh ai.
Weber thotë se është e qartë nga ana e presidentit Vuçiq në Beogradit se në gjysmë-dekadën e fundit përjetoi të shkonte shumë larg, ndonëse parvjet nuk arriti që në fund të shtyjë idenë e rrezikshme për shkëmbimin e territoreve, gjë që ishte në kundërshtim me frymën, parimet dhe qëllimet e dialogut politik.
“Ai e ka parë që aktualisht nuk ekziston presioni politik nga Perëndimi që të vazhdohet aty ku dialogu kishte nisur fillimisht dhe aty ku që nga fillimi e kishte të qartë se duhet të përfundojë, pra, me vendosjen e marrëdhënieve bilaterale dhe pranimin e realitetit që Kosova është e pavarur, se ajo nuk do të kthehet në kuadrin e Serbisë e deri te pranimi formal i Kosovës. Kështu që, atij i konvenon që të vazhdojë ta zvarrisë zgjidhjen. Sa i përket përket kryeminisrit Kurti dhe Prishtinës, në të njëjtën mënyrë ata kanë përjetuar atë negativitetin e ish-drejtuesve të bisedimeve nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, në episodin e shkëmbimit të territoreve dhe tashmë janë më të kujdesshëm dhe dëshirojnë të kenë sinjale të qarta se do të ketë negociata serioze dhe se pikërisht ata do të tregohen serioz lidhur me çështjen e statusit të Kosovës”, thotë Weber.
Weber shton se diçka e tillë, gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka pasur dhe madje nuk ka pasur as gjatë vitit të kaluar, fatkeqësisht, në njërën anë për shkak të hyrjes në pushtet dhe lëvizjes së politikës nga ana e administratës së Bidenit dhe, në anën vjetër, për shkak të pasivitetit të Bashkimit Evropian që ndërlidhet me largimin e Qeverisë së (kancelares gjermane Angela) Merkelit.
“Pra, derisa të zgjasë kjo, derisa të mos qartësohet situata dhe të mos e shohim rifillimin e dialogut, është e qartë që pala e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës do të të tërhiqet në pozicionet e saj parimore – madje aty ka edhe disa elemente të pozicioneve dogmatike – dhe do të insistojë në sovranitetin e Kosovës. Po ashtu, do të ndërmarrë disa veprime të njëanshme, siç i kemi parë në rastin e targave ose siç po e shohim këto ditë lidhur me rregullimin e çështjes së pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje (të Serbisë), në kuptimin se a do të jetë sikurse me referendumin që u mbajt javën e kaluar apo do të ketë mbajtje të zgjedhjeve të përgjithshme të Serbisë në prill”, thotë ai.