Wenger: Kam vendosur për të ardhmen në Arsenal

Prishtinë | 18 Mar 2017 | 20:21 | Nga

Trajneri i kritikuar së tepërmi kohët e fundit Arsene Wenger ka vendosur mbi të ardhmen e tij dhe do ta deklarojë së shpejti. Wenger edhe njëherë tjetër është nxitur nga tifozët e Arsenal të largohet nga posti i trajnerit, me aeroplanë që fluturonin mbi stadiumin e West Brom, ku Topçinjtë u mundën për të shtatën herë këtë sezon me rezultatin 3:1.

“E kam vendosur se çfarë do të bëj në të ardhmen. Do e merrni vesh së shpejti, shumë shpejt,” shprehet trajneri francez. “Jemi në një situatë të keqe momentalisht. Më e keqja e 20 viteve të mia këtu dhe kjo është më e rëndësishme se e ardhmja ime.”

Arsenal tashmë është pesë pikë larg vendit të katër Liverpool, që ndeshet me Manchester City të dielën, teksa Manchester United mund t’i kalojë nëse mund Middlesbrough dhe një fitore e Everton ndaj Hull City do t’i barazonte me pikë me Arsenal.

“Faji është i të gjithëve. Është një rezultat zhgënjyes. Të gjithë duhet të pranojnë përgjegjësitë e tyre dhe të fillojmë përgatitjet për ndeshjen e radhës,” shprehet Wenger për Sky Sports. “Është shumë shqetësuese pasi nuk jemi mësuar me këtë situatë. Tani kemi një detyrë të vështirë përpara nesh. Me ndeshjet e kombëtareve kemi kohë të riaftësohemi dhe të përgatitemi për ndeshjet e mbetura.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme