Milot Rashica është zgjedhur lojtari më i mirë i ndeshjes të cilën Werder Bremeni e fitoi 4:1 ndaj Heidenhemit, në kuadër të Kupës së Gjermanisë, të mërkurën mbrëma. Ylli i Kosovës shënoi gol të bukur në minutën e gjashtë për të kaluar në epërsi 1:0 Werderin, që ndeshjen e mbylli qysh në pjesën e parë.
Rashica nuk kishte nevojë të luante më shumë se 73 minuta, ndërsa ka konfirmuar formën shumë të lartë që po e kalon. Ai është vlerësuar me notë maksimale nga mediat e afërta me Werderin. Sajti “deichstube.de” ka shkruar se Rashica është një sensacion, transmeton “Koha Ditore”. Sajti ka shkruar se reprezentuesi i Kosovës është në formë impresive dhe këtë e ka dëshmuar me golin e bukur.
Rashica tashmë ka nisur të vendosë edhe rekorde te Werder Bremeni. Është i pari lojtar i Werderit që ka shënuar gola në pesë ndeshje rresht për Kupë. Gjatë kësaj serie ka realizuar edhe ndaj skuadrës Delmenhors, ndaj Bayernit të famshëm, Schalkes e Dortmundit.
“Rashica shpërtheu kundër skuadrës së kategorisë së dytë. Ishte i pandalshëm, i gjallë, i shpejtë, plot shkathtësi dhe me një shikim të shkëlqyer. Ai magjepsi në fushën e kundërshtarit”, ka shkruar “deichstube.de”.
Rashica këtë edicion për Werderin ka shënuar pesë gola në shtatë paraqitje. Ka munguar rreth një muaj me lëndim muskulor, por është kthyer fuqishëm.
“E kemi marrë ndeshjen shumë seriozisht dhe jemi përgatitur si duhet. E kemi ditur që sa më shumë gola që shënojmë, do të jetë më e lehtë. Kemi bërë presion shumë të lartë dhe kjo ka funksionuar. Kemi luajtur futboll të mirë, kemi krijuar raste dhe është dashur të shënonim më shumë gola. Tani fokusohemi në ndeshjen e së shtunës”, ka thënë Rashica.
Ai do t’i luajë edhe dy ndeshje para se të grumbullohet me Kosovën për ndeshjet vendimtare ndaj Çekisë e Anglisë. Tifozët e Kosovës shpresojnë që forma e lartë e Rashicës të vazhdojë dhe të arrijë kulmin më 14 nëntor në Plzen dhe më 17 nëntor në Prishtinë.