Timo Werner mund të largohet nga Chelsea në afatin kalimtar të kësaj vere.
Sipas gazetarit nga “Sky Sport Germany”, Florian Plettenberg, sulmuesi është i mërzitur me trajnerin, Thomas Tuchel, i cili është shumë kritik dhe skeptik – derisa thuhet se mes tyre nuk ka harmoni, përcjell Gazeta Express.
Wernerit thuhet se i pëlqen Chelsea, por ai dëshiron që të luajë rregullisht, pasi qëllimi i tij është që të ketë një rol të madh në Botërorin e këtij viti.
Kësisoj, sulmuesi gjerman mund të largohet nga “Stamford Bridge” dhe trajneri nuk do ta pengojë, por do të duhet kohë për të marrë një vendim përfundimtar.
26-vjeçari iu bashkua Chelseat në verën e vitit 2020. Që atëherë, ai ka luajtur 89 ndeshje për klubin dhe ka shënuar 23 gola.
Ish-sulmuesi i Leipzigut me “Blutë” ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2025.