Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se është i lumtur që vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës u mor gjatë presidencës nga Suedia të Bashkimit Evropian.
Westerlund i bëri komentet për Ekonomia Online dhe një medie tjetër, gjatë festës që Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë organizoi me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës. Aktivitetet që nisën sonte, me ç’rast u nda dhe çmimi “Evropiani i Vitit”, do të vazhdojnë për më shumë se një javë.
Për mediet foli dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili theksoi se fokusi i BE-së është kthyer sërish në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk konjufca, tha se Kosova aspiron që një ditë të jetë pjesë e BE-së, por vendi duhet të bëjë reforma e të marrë mijëra masa që “një ditë të jemi pjesë e kësaj familjeje të vlerave”.
Ambasadori suedez, Westerlund, tha se 9 Maji është një ditë shumë e rëndësishme për Evropën. “Sidomos vitin e kaluar, dhe këtë vit, Evropa ka qëndruar e unifikuar kundër agresionit rus në Ukrainë”.
“Jam i lumtur qe presidenca suedeze është në favor të integrimit të vendeve të Ballkanit. Jam i lumtur për liberalizimin e vizave për Kosovën. Nuk dua të marrë shumë merita, sepse merita më të mëdha ka pasur presidenca çeke, por jam i lumtur që ndodhi gjatë presidencës suedeze”, u shpreh ai.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, në një deklarim për media tha se Kosova ka qëllim dhe punon që një ditë të jetë pjesë e BE-së.
“Kjo ditë është më të vërtetë e veçantë dhe me një simbolikë kuptimplotë sepse festohet fillimi i Bashkimit Evropian. Është një familje dhe një sistem i vlerave të përbashkëta, të cilat i ndajmë edhe ne që aspirojmë që t’i ndajmë një ditë. Sot është dita për ta kujtuar gjithë atë histori të krijimit të atij projekti të rëndësishëm, i cili nuk është vetëm projekt politik, por është projekt multidimensional, është projekt i vlerave, i kulturës, i interesave të përbashkëta, i të drejtave të njeriut, demokracisë”.
“Evropa për ne është siguri në të njëjtën kohë”, u shpreh kryeparlamentari.
“Kosova e ka pasur përcaktimin e saj gjithmonë për me qenë pjesë e BE-së, por kjo kërkon kushte, kërkon reforma, kërkon me mijëra masa që ne duhet t’i marrim si shoqëri, që të reformohemi, që një ditë të jemi pjesë e kësaj familjeje të vlerave”, tha ai.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Szunyog, ka thënë se BE-ja nuk është vetëm bashkim politik dhe ekonomik, por ajo promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin. Ndërsa ka theksuar se fokusi i BE-së është kthyer sërish në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se 9 Maji sivjet festohet në një situatë jo edhe aq të mirë, e cila po shkaktohet nga lufta Rusi-Ukrainë. Sipas tij, BE-ja ka qenë e shpejtë në reagimin e saj, edhe pse pati probleme ekonomike, si rritjen e çmimeve.
“Fokusi ynë është kthyer përsëri edhe në Ballkanin Perëndimor. Në këto vite sfiduese përmbyllëm me sukses tri paketa të ndihmës për Kosovën, të cilat kapin shifrën e përgjithshme prej 200 milionë eurosh. Jam shumë krenar edhe për liberalizimin e vizave, që është një arritje e Kosovës, por posaçërisht e qytetarëve. Mendoj se mund të jemi krenarë edhe për procesin e dialogut dhe zhvillimet e fundit. Mendoj se edhe në këto kohë të vështira, BE ka qenë e fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë”.