Deontay Wilder është pajtuar që të hyjë në ring me Anthony Joshuan gjatë kësaj vere.
Ka kohë që boksieri amerikan është duke e kërkuar meçin ndaj kampionit të unifikuar, ndërsa gjërat kanë lëvizur përpara pas triumfit të AJ ndaj Joseph Parkerit.
Pas fitores së të shtunës, 28-vjeçari u shpreh i gatshëm për ta zhvilluar meçin ndaj kampionit në fuqi të WBC-së.
Në fakt, Wilder e posedon të vetmin titull që nuk e ka Joshua në sirtarin e tij. Britaniku tashmë i ka fituar titujt WBA, WBO, IBF dhe IBO.
https://youtu.be/0nnQOWvjVKw
Fitorja eventuale ndaj boksierit 32 vjeçar do ta bënte Anthonyn kampion të padiskutueshëm.
Bashkëmenaxheri i Wilderit, Shelly Finkel, ka bërë të ditur se amerikani e ka pranuar sfidën për t’u përballur me Joshuan gjatë verës dhe se bisedimet tashëm kanë filluar.
“Jemi vërtet të kënaqur që Anthony Joshua tha për herë të parë: ‘Do të ndeshem me Deontay…’ dhe ne besojmë se ai është njeri i fjalës. Deontay e pranon sfidën”, ka thënë Finkel për The Telegraph.
“Duam ta bëjmë publike se Deontay e dëshiron duelin dhe jemi të gatshëm të vijmë atje ose të takohemi këtu dhe ta arrijmë marrëveshjen. Deontay është i gatshëm të nënshkruajë dhe të vijë në Britani të Madhe për ta zhvilluar meçin këtë verë”.
“Duke supozuar se do të ndodhë në Wembley Stadium gjatë verës, jemi të gatshëm, ndërsa nëse edhe ata janë të gatshëm siç po thonë, atëherë duam të shkojmë dhe ta bëjmë meçin”.
“Ne e duam këtë përballje, ata e duan këtë përballje, publiku e do këtë përballje. Nuk ka asgjë që mund ta ndalë për t’u realizuar”.
Është raportuar se Wilder është i gatshëm të pranojë ndarjen e përfitimeve në raport 60:40 në favor të AJ, duke qenë se Joshua është boksieri kryesor në këtë meç.