Nënkryetari i think-tank-ut amerikan “Këshilli Atlantik”, Damon Wilson në një intervistë për Zërin e Amerikës, edicioni në serbisht, ka deklaruar se në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, asgjë nuk është e lehtë. Madje, sipas tij administrata Trump dëshiron të shoh rezultatet në politikën e jashtme dhe se Korea Veriore, Irani dhe Venezuela janë çështje problematike, derisa në Ballkanin Perëndimor dëshiron një sukses sa më parë të jetë e mundur, transmeton Koha.net.
“Nuk është i lehtë një sukses në Ballkanin Perëndimor, por në këtë pjesë po punojmë me demokraci, të cilat strategjikisht dëshirojnë të jenë pjesë e perëndimit, të cilat kanë vizion të përbashkët të rajonit si pjesë e Evropës. Kjo na jep material për punë. Duket vështirë, ama relativisht lehtë është kur i krahason me Iranin, Korenë Veriore, Venezuelën. Ndaj, për një administratë që dëshiron sukses, çështja është, nëse mundet?. Këtu mund të arrihet rezultat. Arsyeja e tretë është pragmatizmi. Fokusimi në ekonomi, tregti, njerëz. Kjo nuk është çështje ideologjie, por e pragmatizmit, mundësive për punësim. Një qasje të tillë e kemi parë edhe te ambasadori Grennell”, ka thënë Wilson.
Ai ka thënë se është shënuar përparim në Kosovë, duke iu dhënë më shumë rol Albin Kurtit.
“Zotit Kurti i është dhënë roli kryesor. Është dashur afërsisht tre muaj për një gjë të tillë. Do të krijohet Qeveria, e cila do të jetë ndryshe. Do të kemi akterë të tjerë, do të kemi me kë të bashkëpunojmë”, ka thënë ndër të tjera Wilson.
Wilson ka thënë se duhet heq kapelën diplomacisë së ambasadorit Grenell, i cili sipas tij me qetësi dhe diplomatikisht ka arritur të marrëveshjet e fundit ndërmjet Prishtinës e Beogradit.