Fusha stërvitore e Wisla Krakowit në fshatin Myslencie, 40 minuta në jug të qytetit të dytë më të madh në Poloni, Krakow, ishte e ngrirë muajin e kaluar, ndërsa disa qindra tifozë arritën të kalonin nëpër borë për të përshëndetur Jakub Blaszczykowskin.
Blaszczykowski, një mesfushor 33-vjeçar, ka luajtur në disa prej ndeshjeve më të mëdha të futbollit, përfshirë në finale të Ligës së Kampionëve të vitit 2013 si pjesë e Borussia Dortmundit, në dy kampionate evropiane dhe në një Botëror me Përfaqësuesen e Polonisë. Por në këtë pasdite, Blaszczykowski ishte shumë larg nga ato momente, shkruan Koha Ditore.
Ai ishte pranë që të luante ndeshjen e tij të parë miqësore që kur iu bashkua Wisla Krakowit, një prej skuadrave më të dekoruara të Polonisë. Wisla është skuadra ku Blaszczykowski bëri emër dhe së cilës i kishte dhënë premtimin se një ditë do të kthehej pasi që firmosi me Dortmundin në vitin 2007.
Ai nuk po kthehet te Wisla për të bërë pensionimin më të lehtë, apo për një pagesë të fundit. Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Blaszczykowski, që njihet me nofkën Kuba, është kthyer në vendlindje me një marrëveshje të pazakontë ku është pajtuar të mos marrë fare para për të luajtur dhe iu bashkua dy investuesve polakë për të huazuar 350 mijë dollarë te klubi për të mbuluar rrogat e papaguara të bashkëlojtarëve të tij të rinj.
Wisla Krakowi kur u kthye ishte në gjendje të rëndë dhe historia e saj është ndyrë pas një serie të ngjarjeve katastrofave, përfshirë marrjen në pronë nga huliganët, mungesën e parave dhe një investuesi misterioz të huaj që ofroi veten si shpëtimtar, mori certifikatat e pronësisë së klubit dhe më pas – pa dhënë asnjë qindarkë – u zhduk.