Klubi i Bundesligës gjermane, Wolfsburg, është bërë i pari në top-pesë ligat evropiane të futbollit që është kthyer në stërvitje pas krizës së Coronavirusit.
Futbollistët e Wolfsburgut të hënën kanë zhvilluar stërvitjen e parë pas pushimit të obligueshëm. Dhe nuk ishte një stërvitje e zakonshme, raporton Koha.net.
Stërvitja e së hënës ka dalluar plotësisht prej atyre që zhvillojnë skuadrat e futbollit. Skuadra ka stërvitur në grupe fare të vogla të lojtarëve dhe nën masa të veçanta mbrojtëse.
Stërvitja është zhvilluar në ambiente të brendshme të stadiumit. Katër grupe të ndryshme kanë stërvitur në termine të ndryshme, ka njoftuar klubi gjerman në faqen zyrtare.
“Për të minimizuar rrezikun e infektimit në këtë kohë të vështirë, katër grupet e lojtarëve kanë stërvitur në distancë prej dy orësh nga njëri-tjetri, për të shmangur kontaktin e lojtarëve me njëri-tjetrin sa më shumë që është e mundur. Lojtarët janë ndërruar në katër zhveshtore të ndryshme. Janë marrë masa për dezinfektim, ndërsa biçikletat që i përdorën lojtarët kanë qenë larg njëra-tjetrës”, ka njoftuar Wolfsburgu.
Drejtuesit e klubit kanë thënë se më me dëshirë do të zhvillonin stërvitje të zakonshme, por se duhet të pranojnë situatën e re.
“Detyrë e jona është të jemi të gatshëm, pavarësisht nëse kjo do të bëhet duke ushtruar në shtëpi apo në grupe të vogla si sot. Klubi ka marrë të gjitha masat për higjienë”, ka thënë futbollisti Daniel Ginczek.
Për Wolfsburgun luan reprezentuesi i Zvicrës, Admir Mehmedi.
Bundesliga aktualisht është e pezulluar, si të gjitha ligat tjera, dhe nuk dihet kur do të vazhdojë.