Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Robert A. Wood, tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë rrezikoi jetën e qytetatëve, si dhe personelin e NATO-s dhe të BE-së.
Ambasadori amerikan tha se pas sulmit, grupi i armatosur u tërhoq në “një vend të tretë”, një aludim i qartë për Serbinë, por që nuk e përmendi me emër.
“Duhet të ketë përgjegjësi të plotë, në përputhje me sundimin e ligjit, për fajtorët e sulmit. Individët që ikën në shtetet e treta duhet të ekstradohen apo persekutohen siç kërkohet. SHBA-ja po punon ngushtë me BE-në dhe partnerët e NATO-s për ta mbajtur veriun e Kosovës të qetë”, theksoi Wood.
Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të frenohen nga veprimet që mund të nxisin tensione. SHBA-ja mbështetë dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja.
“U bëjmë thirrje palëve të kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të përgatiten të marrin hapa konkret para. Është me rëndësi që palët të bëjnë progres në zbatimin e gjitha marrëveshjeve të dialogut. SHBA-ja e sheh dialogun si rruga më e mirë për të arritur pajtimin mes Serbisë e Kosovës. Ne do të mbesim të angazhuar e do të punojmë ngushtë me partnerët evropianë”.
Ai ka mirëpritur shtimin e forcave të KFOR-it, ndërsa ka përgëzuar Policinë e Kosovës për reagimin profesional.
“Mirëpresim shtimin e forcave të NATO-s në veri të Kosovës. Të mbesim sa më gjatë që të jetë e nevojshme. Po ashtu lavdërojmë Policinë e Kosovës për reagimin më 24 shtator, për koordinimin e ngushtë me KFOR-in e EULEX-in gjatë sulmit dhe gjatë hetimeve. Ne inkurajojmë Kosovën të vazhdojë koordinimin”, deklaroi Wood.
Përfaqësuesi amerikan përsëriti qëndrimin se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) duhet të mbyllet.
“UNMIK-u e ka plotësuar qëllimin, më nuk ka rol në qeverisjen e Kosovës apo në siguri. Kërkojmë nga ky Këshill që të perëndojë ky mision”, ka thënë Wood.