Hakerët e lidhur me Pekinin hynë në llogarinë e e-mailit të ambasadorit të ShBA-së në Kinë, në një operacion spiunazhi që mendohet se ka kompromentuar të paktën qindra mijëra e-maile të qeverisë amerikane, raportoi të enjten Wall Street Journal.
Daniel Kritenbrink, ndihmës sekretari i shtetit për Azinë Lindore, u hakua gjithashtu në operacionin më të gjerë të spiunazhit të zbuluar këtë muaj nga Microsoft, tha gazeta, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.
I pyetur në lidhje me hakimin e raportuar të llogarive të dy diplomatëve, Departamenti i Shtetit nuk pranoi të jepte ndonjë detaj dhe tha se hetimi për operacionin e spiunazhit ishte duke vazhduar.
Ambasada e ambasadorit amerikan Nicholas Burns në Pekin i referoi Reutersit vërejtjet e bëra nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken këtë muaj, kur ai tha se SHBA-ja “ia ka bërë të qartë Kinës, si dhe vendeve të tjera vazhdimisht se çdo veprim që synon qeverinë amerikane ose kompanitë amerikane, qytetarët amerikanë, është me shqetësim të thellë për ne dhe ne do të bëjmë reagimin e duhur”.
Një zëdhënës i ambasadës së Kinës në Uashington tha se Kina vazhdimisht kundërshtoi hakimin dhe hodhi poshtë spekulimet “të pabaza” në lidhje me burimin e sulmeve kibernetike.
“Kina kundërshton dhe lufton me vendosmëri sulmet kibernetike dhe vjedhjet kibernetike në të gjitha format. Ky pozicion është i qëndrueshëm dhe i qartë”, tha zëdhënësi Liu Pengyu në një përgjigje me email për Reuters.
“Identifikimi i burimit të sulmeve kibernetike është një çështje teknike komplekse. Shpresojmë që palët përkatëse të marrin një qëndrim profesional dhe të përgjegjshëm… në vend që të bëjnë spekulime dhe pretendime të pabaza”.
Përpara se të shfaqej raporti i WSJ-së, Kritenbrink u pyet në një seancë dëgjimore të Kongresit mbi politikën e ShBA-së për Kinën nëse ai mund të përjashtonte që e-mailet e tij ose të stafit të tij ishin në shënjestër të hakimit ndaj Microsoft-it.
“Nuk mund të komentoj një hetim që është duke u zhvilluar nga FBI, por jo, nuk do ta përjashtoj atë”, tha Kritenbrink.
Burns dhe Kritenbrink bashkohen me Sekretaren e Tregtisë së ShBA-së, Gina Raimondo, si viktimat e vetme të emërtuara publikisht të fushatës së spiunazhit, e cila shkaktoi një paralajmërim nga kryediplomati i Uashingtonit për homologun e tij kinez.