Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.
Këtë e ka konfirmuar gjykatësi i procedurës paraprake, Mustaf Tahiri.
Ai ka thënë se kjo masë e caktuar ndaj të dyshuarit Zharku, do të vlejë deri më 9 mars të këtij viti.
Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i kësaj komune, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, ditë më parë edhe Gjykata e Apelit e kishte lënë në fuqi masën e paraburgimit që kishte shqiptuar Gjykata në Ferizaj, më 14 dhjetor 2019, pasi që kishte aprovuar kështu kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“I pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri kërkesën e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës.
Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.