Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, vlerëson se gjatë vitit 2018 shtëpia ligjvënëse ka arritur të realizojë pritjet nga aspekti ligjvënës, pasi ka arritur të mbyllë në kohë çështjet e rëndësishme.
Në takimin tradicional të fundvitit me gazetarët, Xhaferi deklaroi se nuk mund të veçojë ndonjë çështje, pasi siç tha viti që po lëmë pas ka qenë i stërmbushur me zhvillime, siç janë Marrëveshja e Prespës, ratifikimi, ndryshimet kushtetuese, buxheti dhe një sërë çështjesh të cilat kanë karakterizuar vitin.
“Sidoqoftë, Kuvendi ka arrtitur të përmbush pritjet e qytetarëve, për çka flasin dhe anketat e institucioneve relevante, në të cilat Kuvendi është vlerësuar në mënyrë adekuate”, tha Xhaferi.
Kryeparlamentari Xhaferi, komentoi edhe zhvillimet politike, me theks të veçantë te mosdekretimi i presidentit Gjorge Ivanov të ligjit për përdormin e gjuhëve dhe Marrëveshjen e Prespës. Ai tha se nënshkrimi i presidentit është një detyrim ligjor të cilin ai nuk e përmbush, për çka ripërsëriti se kjo do të bëhet përmes nënshkrimit të tij, por pa precizuar kohën, megjithatë bëri me dije se kjo do të ndodhë bashkë me dekretimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Senca për ndryshimet kushtetuese është thirrur për 9 janar, dhe sipas dinamikës do të mbarojë shpejtë, supozimet janë maksimum deri më 15 janar, por jo detyrimisht, mundet edhe më herët. Të dy ligjet do të shkojnë bashkarisht në Gazetën Zyrtare”, tha Xhaferi, i komentoi edhe nismën për një ligj për deputetët, me të cilin pas mandatit, shteti do të duhet t’iu garantoj një vend pune.
Xhaferi tha se një i zgjedhur i popullit nuk është mirë pas katër vitesh të “të kërkojë në koshet e plehrave, megjithatë tha se nuk mund të komentojë diçka pa e parë tekstin e propozim-ligjit.