Xhaferi: Seanca për zgjedhjen e qeverisë varet nga kreu i LSDM-së

Prishtinë | 17 Maj 2017 | 18:00 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, pas dhënies së dëshmisë në Prokurorinë Publike për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, bëri të ditur se do të thirrë seancë për zgjedhjen e qeverisë atëherë kur mandatari Zoran Zaev, kreu i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), do të dorëzojë programin e qeverisë së re, transmeton Anadolu Agency (AA).

Xhaferi theksoi se paralelisht me seancën e zgjedhjes së qeverisë së re do të mbahen edhe seanca për ndryshime të Kodit zgjedhor, përkatësisht caktimi i datës së zgjedhjeve lokale.

Ai tha se ndihet i kënaqur që presidenti Gjorge Ivanov i dha mandatin për formimin e qeverisë së re. Ai shtoi se presidenti me dhënien e mandatit do të kontribuojë që mos të krijohen praktika të këqija në jetën parlamentare në Maqedoni.

“Unë ndihem i kënaqur që z. Ivanov reflektoi dhe e përmbushi atë që e prisja. Me atë, në fund të fundit ai kontribuon që të mos krijohet praktikë e keqe në jetën parlamentare në Maqedoni në drejtim të vendimeve individuale apo të dëshirës së dikujt tjetër”, u shpreh Xhaferi.

Sipas tij, Ivanov do të reflektojë dhe as ai, por as edhe ndonjë zyrtar tjetër publik nuk do të marrë përgjegjësi që nuk i përkasin me ligj dhe kushtetutë. Ai theksoi se kjo është mënyra që hap të gjitha procedurat legale të zbatohen ashtu siç i ka hije një demokracie parlamentare.

Në lidhje me qëndrimet e VMRO-DPMNE-së, parti e cila zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeparlamentar e konsideron jolegjitim, Xhaferi shtoi se ka komunikim dhe se nuk i ka shembur të gjitha urat.

“Unë jam kryetar i Kuvendit dhe nuk mund të veprojë si person që mendon dikush. Si kryetar i Kuvendit kam lënë mundësi dhe urë për komunikim dhe ai komunikim ekziston dhe në mënyrë të përshtatshme ka përgjigje”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme