Xhaferi: Sulmuesit kërcënonin se do na vrisnin të gjithëve

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 14:19 | Nga

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot në Gjykatën Penale dëshmoi për sulmin ndaj deputetit dhe njëherësh kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, që ndodhi më 27 prill të vitit të kaluar.

Xhaferi dëshminë e tij e filloi me sqarimin për ndodhitë në press qendrën e Kuvendit. Me këtë rast tha se e gjitha ka filluar rreth orës 19:00, kur një grup qytetarësh me dhunë u futën në press qendrën e kuvendit.

“Dhunshëm filluan të sulmojnë, fillimisht fizikisht, e më pas edhe me gjithë pajisjen që shfrytëzoheshe si mjet për sulm ndaj nesh, deputetëve, mediave dhe gjithë të tjerëve që u gjendëm në press qendër. Zoran Zaev, Olivers Spasovski, Goran Misivski, Aleksandar Kiracovski, Damjan Mançevski, Vesel Memedi, Surija Rushiti dhe Zijadin sela kanë bërë një kordon para meje dhe unë u tërhoqa më mbrama. Përskaj mua ishte edhe kameramani i Tv 24. Personat që u vunë në mbrojtjen time, përskaj d eputetëve ishin edhe truprojat e Oliver Spasovskit”, deklaroi Xhaferi, raporton Alsat M.

Ai më tej nënvizoi se sulmuesit gjatë gjithë kohës kanë brohoritur” gjithëve do t’ju mbysim, nuk do dilni gjallë nga këtu”.

Përpos Xhaferit për zhvillimet ne Kuvend më 27 prill pritet të dëshmojnë edhe Damjan Mançevski dhe Aleksandar Kiracovski.

Xhaferi, dëshmitar në seancën për tentim vrasjen e Selës

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski dhe deputeti Aleksandar Kiracovski janë dëshmitarë të ftuar në seancën gjyqësore për rastin e tentim-vrasjes së deputetit dhe njëherësh kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Ata kanë qenë prezent në sallën ku ndodhi ngjarja e përgjakshme e 27 prillit, vitin e kaluar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Deri më tani për zhvillimet e 27 prillit kanë dëshmuar disa persona, mes tyre edhe vetë Ziadin Sela derisa në seancën e fundit një gazetare në cilësinë e dëshmitarit ka njohur disa nga sulmuesit, raporton Alsat M.

Për këtë rast akuzohen Oliver Oshavkovski, Sasho Senkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksandar Janevski-Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov, Stojan Pavlleski-Kobra, Kire Gjorgievski dhe Cene Gjorgjievski.

Të ngjashme