Granit Xhaka ka zbuluar se koha kur Arsenali vendosi t’ia marrë shiritin e kapitenit të skuadrës ka qenë periudha më e vështirë në karrierën e tij dhe se kishte pasur frikë se nuk do të luante kurrë më për klubin londinez. Mesfushori shqiptar thotë se do të mendojë dy herë, nëse i ofrohet mundësia për t’u bërë kapiten përsëri.
Në nëntor trajneri i atëhershëm Unai Emery ia hoqi shiritin e kapitenit mesfushorit të Kombëtares së Zvicrës me prejardhje nga Kosova, për shkak të një zënke që Xhaka e kishte pasur me tifozët gjatë barazimit të Arsenalit 2:2 me Crystal Palace në Emirates më 27 tetor, transmeton Gazeta Express.
Tifozët e Arsenalit e fishkëllyen Xhakën në momentin kur u zëvendësua, duke e nxitur atë të reagojë ndaj tyre duke i sharë në gjuhën angleze. Më vonë, familja e Xhakës u abuzua online nga tifozët e klubit.
Tani, me ardhjen e Mikel Artetas në postin e trajnerit të klubit, Xhaka është titullar i rregullt, por i pyetur nga mediat angleze nëse kishte menduar se loja ndaj Palace ishte e fundit në karrierën e tij për Arsenalin, ai tha: “Natyrisht, nuk mund t’ju gënjej. E mendova në atë moment, sepse nuk ka qenë e lehtë për mua dhe familjen time. Shpresoj se njerëzit më kuptojnë”.
“Por mendoj se tregova karakter. Unë nuk jam person që ik. Gjithmonë i them klubit: ‘Përderisa të jem këtu, do të jap gjithçka nga vetja’. Gjithmonë ka qenë kështu”, shtoi ai.
Është e qartë se humbja e shiritit të kapitenit ka qenë e dhimbshme për Xhakën, i cili u bë qendër e kritikave nga tifozët në ditët e fundit të Emeryt në klub. Që prej atëherë, mesfushori shqiptar e ka veshur shiritin e kapitenit përkohësisht, për koincidencë kundër Palace, kur iu dha ai në minutat e fundit gjatë barazimit 1:1 në Selhurst Park.
Por Xhaka e pranon se ka ngurruar ta pranojë atë atëherë dhe thotë se ende ka rezerva për t’u bërë kapiten në të ardhmen, nëse i kërkohet.
“Unë e di çfarë mund t’i ofroj këtij ekipi me apo pa shiritin e kapitenit. Nuk desha ta pranoj shiritin e kapitenit kundër Palace, por Sokratis dhe David Luiz më thanë se duhej ta pranoja. Nëse një ditë klubi më kërkon të bëhem kapiten, do të mendoj dy herë”, këmbënguli Xhaka.