Mesfushori Granit Xhaka po pritet që sërish të gradohet në kapiten të Arsenalit dhe dëshmia më e mirë për këtë është ndeshja e fundit ndaj Chelseat, në të cilën “topçinjtë” barazuan 2:2 të martën mbrëma, në kuadër të Premier Leagues.
Pasi përfundoi ndeshja, Xhaka qëndroi në fushë më shumë se çdo futbollist tjetër, pasi duartrokitej nga tifozët e Arsenalit për paraqitjen e mirë në derbin e Londrës. Në fakt, Xhaka është vlerësuar ndër më të mirët në këtë ndeshje edhe pse nuk luajti në pozitën e tij natyrale. Prej minutës se 26-të, kur Arsenali mbeti me një futbollist më pak pas kartonit të kuq të David Luizit, trajneri Mikel Arteta kërkoi nga Xhaka që të luajë si qendërmbrojtës përkrah Shkodran Mustafit. Si qendërmbrojtës, Xhaka pati paraqitje të mirë, me ndërhyrje të sakta për çka edhe u duartrokit nga tifozët. E kjo është e kundërta e asaj që i ndodhi muaj më parë. Xhaka për shkak të fjalosjes me tifozët mbeti pa shiritin e kapitenit. Klubi si masë ndëshkimore ia mori shiritin dhe ia dha spanjollit Hector Bellerin. Por, paraqitja e fundit me Chelsean dhe marrëdhënia e tij e përmirësuar me tifozët, janë shenja se Xhakës sërish do t’i besohet përgjegjësia e kapitenit.
“Pas gati tre muajve, ku pati fjalosje me tifozët, Granit Xhaka është rikthyer fuqishëm. Ai kundër Chelseat ishte kapiten në hije dhe tifozët e Arsenalit këtë e vërejtën, duke e duartrokitur dhe përgëzuar për lojën e tij. Kjo është vetëm një shenjë se Xhaka po rilind nën urdhrat e Mikel Artetas dhe së shpejti pritet t’i kthehet shiriti i kapitenit”, ka shkruar sajti “Football-London” të mërkurën.
Edhe trajneri i Arsenalit, Arteta, që në këtë post ka zëvendësuar spanjollin e shkarkuar Unai Emery, ka pranuar se Xhaka po tregohet lider i vërtetë kohët e fundit. Arteta ka thënë se ishte pikërisht ai që ka ndaluar Xhakën të mos transferohet te Hertha e Berlinit, ndonëse ishte arritur marrëveshja me klubin nga Bundesliga.
“Prej ditës së parë, kur kam ardhur në klub, kam biseduar me Xhakën. Natyrisht, që mendja e tij ishte pak e lëkundur pas gjërave që i ndodhën më herët. Jam përpjekur ta bindi se Arsenali është vendi i duhur për të luajtur dhe jam munduar t’i jap mundësinë për ta shijuar futbollin sërish. Duket se kjo ka pasur efekt dhe tash ai është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në ekip, pasi po e dëshmon me paraqitjet e fundit”, ka thënë Arteta.
Ndaj Chelseat, Xhaka pati angazhim të pashoqë dhe shihej teksa këshillonte bashkëlojtarët në fushë sikurse një kapiten me shumë përvojë. Ai ishte lidhja e trajnerit Arteta me futbollistët e tjerë. Arteta thotë se këtë e ka ditur gjithmonë dhe për këtë arsye ka kërkuar nga Xhaka që të japë gjithçka nga vetja. Ai ka shtuar se Xhaka nuk hezitoi të luante as si qendërmbrojtës kur i kërkoj të mbulonte pozitën e lënë bosh nga Luizi.