Granit Xhaka e ka mbrojtur Arsenalin duke thënë se skuadra tregoi unitet, shpirt dhe karakter në përballje ndaj Milanit të enjten në Evropa Ligë.
Golat nga Henrikh Mkhitaryan dhe Aaron Ramsey i dhanë fitoren skuadrës së Arsene Wengerit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Evropa Ligës të zhvilluar të enjten mbrëma në “San Siro”, transmeton Express.
Pas katër humbjeve radhazi dhe para takimit me italianët, Arsenali u kritikua për mungesë të unitet dhe shpirtit luftarak, por mesfushori kosovar i Zvicrës s’është i atij mendimi.
“Sot treguam unitet, treguam shpirt dhe karakter të fortë”, ka thënë Xhaka për uebsajtin e klubit.
“Shumë njerëz flasin për ne nga jashtë, por askush nuk e di çfarë ka brenda ekipit”, ka shtuar 25-vjeçari.
“Të gjithë e dinë se kemi humbur katër ndeshje dhe kjo qe e vështirë për ne. Ka qenë më rëndësi të qëndronim të bashkuar dhe t’iu tregonim njerëzve jashtë se jemi ekip”, theksoi Xhaka.