Xherdan Shaqiri nuk mund të ndalojë së shprehuri dashurinë për klubin e tij, Liverpool, pas triumfit në Ligën e Kampionëve të shtunën në Madrid, në atë që ishte trofeu i dytë personal për futbollistin shqiptar në garën më prestigjioze evropiane për klube.
Liverpooli e mundi 2:0 Tottenhamin në finalen angleze në Ligën e Kampionëve të shtunën mbrëma në Wanda Metropolitano në Madrid, duke e fituar trofeun e gjashtë në histori të klubit.
Kjo nënkupton se Xherdan Shaqiri tani është dy herë fitues i garës parësore evropiane, pasi së pari e kishte shijuar këtë trofe në vitin 2013 me Bayern Munich.
Dy ditë pas lavdisë evropiane, 27-vjeçari i ekipit kombëtar të Zvicrës, zgjodhi rrjetin social Instagram për ta shprehur dashurinë për të kuqtë.
“Kampionë të Evropës. E kthyem të gjashtin në shtëpi. E dua këtë ekip”, shkroi Shaqiri në llogarinë e vet zyrtare në Instagram.
Ylli i Zvicrës është bërë futbollisti i parë me prejardhje shqiptare që e fiton Ligën e Kampionëve.
Shaqiri e bëri këtë duke mos shijuar asnjë moment lojë në dy finalet e tij, por ai ka dhënë kontributin e tij gjithsesi në fazat e mëhershme të garës. Ai luajti 90 minuta të plotë në rikthimin historik të Liverpoolit kundër Barcelonës në gjysmëfinale.