Xhirimet e siguruara nga Policia e Kosovës po shihen si mundësia e vetme për zbardhjen e sulmit të fundit ndaj gazetarit Parim Olluri, i cili ka ndodhur të mërkurën mbrëma, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në ato xhirime shihet se si tre persona kanë grushtuar me boksa dhe shqelma drejtorin e portalit “Insajder”, në prani të së fejuarës së tij.
Olluri nuk ka arritur të identifikojë se kush janë ata persona. Ai ka thënë për gazetën se njëri prej sulmuesve shihet më mirë, por që ai nuk e njeh se kush është. Olluri është i bindur se motivet e sulmit kanë të bëjnë pikërisht me punën që ai bën si gazetar.
“Sulmuesit nuk më thanë asnjë fjalë, e nuk i njihja as kush janë dhe nuk u përmend asgjë. Ajo po më bën të dyshoj dhe besoj se ata kanë qenë të orkestruar dhe të nxitur nga dikush”, ka pohuar Olluri.