Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka paraqitur para deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës Projektligjin për pagat në sektorin publik.
Ai ka thënë se ky projektligj rregullon pagën bazë dhe siguron barazi, raporton Ekonomia Online.
Xhavit Haliti e cilësoi si “mish-mash” gjendjen e pagave në institucionet shtetërore.
“Është bërë një mish-mash sa i përket pagave në institucionet shtetërore, veçanërisht në hierarkinë shtetërore. Në çdo vend të botës është përcaktu paga sipas hierarkisë e jo sipas dëshirës. Shpresoj që këto të meta nuk do të figurojnë”.
Kryetari i komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani, tha se rekomandojnë që Kuvendi të kalojë në parim në mënyrë që pastaj në komisione të shqyrtohet.
“Ligji për pagat për sektorin publik të kalojë në parim. Kanë mbërri ankesa, kërkesa, reagime për pakon ligjore. Për ta rregulluar këtë, komisioni duhet të ketë pavarësi më shumë”.
Xhevahire Izmaku në emër të grupit parlamentar të PDK-së shprehu keqardhje për mungesën e LDK-së dhe VV-së në sallë.
“Është për keqardhje edhe mungesa e dy subjekteve të mëdha. Koncentrimin si grup parlamentar do ta kemi në kategoritë që në të kaluarën është diskutu se ka pasë një diskriminim. Grupi parlamentar do të shohë me kujdes fazën e amendamentimin duke shikuar me kujdes kërkesat e sindikatave siç janë të arsimit, të shëndetësisë”.
Shqipe Pantina nga PSD tha se koeficienti i pagës së presidentit duhet të jetë 10, jo 12 siç është tash.
“Përderisa paga minimale është 170, paga më e lartë në sektorin publik, që është e presidentit, i bie që është 17 herë më e madhe se paga minimale. Koeficienti i pagës së presidentit duhet të jetë 10, e jo 12”.
“Ligji nuk respekton parimin për punë të barabartë, pagë të barabartë. Sepse një zyrtar profesionist është më pak i vlerësuar sesa një asistent në kabinetin e ministrit”.