Organizata joqeveritare Aksioni i të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YAHR), ka alarmuar për dëmtimin e aseteve publike.
“Persona të pandërgjegjshëm po i dëmtojnë asetet publike në qytetin e Lipjanit. Prandaj, kërkojmë nga institucionet publike, si Inspektorati i Komunës dhe nga Policia e Kosovës për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për sjelljet e pandërgjegjshme të disa grupeve të të rinjve, të cilët qëllimisht po shkaktojnë defekte në ndriçimin publik në qytetin e Lipjanit, si dhe në heqjen e pusetave të ujëmbledhësve dhe veprime të tjera të dëmshme”, ka thënë Bekim Krasniqi nga kjo organizatë.
Sipas tij, në parkun e qytetit afër shkollës fillore gjatë periudhës së fundit janë dëmtuar disa shtylla të ndriçimit publik dhe dhjetëra ulëse. “Të gjitha ato investime janë bërë nga taksat e tona si qytetarë, prandaj duhet t’i ruajmë ato në mënyrë që investimet e tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen në pjesë të tjera të qytetit. Komuna duhet të organizojë sa më shumë takime me qytetarë dhe të organizojë fushata vetëdijesuese për mbrojtjen e pasurisë publike”, ka thënë Krasniqi.
Arben Berisha, banor nga Lipjani, ka thënë se asetet publike duhet të monitorohen edhe nga Policia e Kosovës dhe në raste të tilla duhet të ndëshkohen qytetarët.