Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropian dhe Euro-Aziatike, Hoyt Brian Yee, është takuar dje me krerët e shtetit të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Në këto takime është biseduar për marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
Fillimisht Yee u takua me presidentin e vendit Hashim Thaçi, me të cilin kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, rolin e SHBA-së në rajon, perspektivën euroatlantike të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera me interes të përbashkët, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Me këtë rast presidenti Thaçi ka thënë se vazhdimi i mbështetjes së SHBA-së për Kosovën dhe rajonin mbetet çelës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm.
“Jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në të gjithë sektorët e jetës në Kosovë”, ka thënë presidenti.
Sipas një njoftimi për medie nga Zyra e Presidentit, Thaçi ka njoftuar zëvendësndihmëssekretarin Yee për sukseset më të fundit të Kosovës, zgjedhjet komunale dhe betimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve nga komuniteti joshumicë.
“Zgjedhjet komunale janë një dëshmi tjetër e pjekurisë politike të Kosovës, ndërsa dekretimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve është një hap i madh drejt forcimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të integritetit shtetëror të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.