YIHR, Kurtit: Të akuzuarit për krime lufte nuk duhet të glorifikohen

Prishtinë | 18 Jan 2023 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, e ka konsideruar shqetësuese deklarimin e kryeministrit Albin Kurti me rastin e përkujtimit të 5 vjetorit të vrasjes së Oliver Ivanoviq.

Sipas YIHR, kryeministri Kurti në deklaraten e tij e glorifikoi veprimtarinë e Oliver Ivanoviq duke e shquar atë si një njeri që ka punuar për një të ardhme të qëndrueshme dhe një Kosovë multietnike.

Oliver Ivanoviq ishte dënuar me 9 vite burg në shkallë të parë për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare të kryera më 14 prill 1999 në Mitrovicë

Vendimi për fajësinë për krimet e luftës kundër popullsisë civile është marrë në vitin 2016 nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Mitrovicës me panel të përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë.

Më pas, rasti ishte kthyer në rigjykim.

Procesi i rigjykimit ka mbetur pa përfundur për shkak të vrasjes së tij në vitin 2018.

YIHR konsideron se personat të cilët kanë qenë në procedura gjyqësore për krime të luftës nuk duhet të glorifikohen nga liderët institucional.

“Ndonëse procedurat gjyqësore ndaj Oliver Ivanoviq nuk arritën të përfundohen përshkak të vdekjes së tij dhe si rezultat nuk kemi një vendim përfundimtar mbi fajësinë e tij, nuk duhet të harrohet që Ivanović po akuzohej për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë. As veprimtaria politike e Oliver Ivanović në vitet e fundit të jetës së tij, nuk e asgjëson apo amniston akuzën për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në reagim.

YIHR bën thirrje të gjithë liderëve politik që të kenë ndjeshmërinë dhe respektin e duhur për viktimat dhe të mbijetuarit e luftës, familjarët e tyre dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ndjeshmëria dhe respektimi i dinjitetit të viktimave duhet të jenë prioritet në paraqitjet publike të udhëheqësve shtetëror. Integriteti dhe dinjiteti i viktimave dhe të mbijetuarëve/ave të luftës duhet të jenë në qendër të diskursit publik të ballafaqimit me të kaluarën”, thuhet në fund të reagimit.

Të ngjashme