Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ka mbajtur një aksion me rastin e Ditës së Kushtetutës.
Përmes këtij aksioni synohet që institucionet të ndërmarrin masa që rrisin gjithë përfshirjen dhe t’i përmbushin obligimet e tyre kushtetuese për të siguruar barazi para ligjit për të gjithë.
Ata kanë krijuar broshura që në rast se i shkelin te drejtat e qytetarëve ata i drejtojnë tek institucionet kompetente.
Rina Kadiri, menaxhere e Programit në YIHR, tha se ky aktivitet është shënuar me rastin e Ditës së Kushtetutës dhe ka për qëllim t’i kritikojë institucionet të cilat, siç thotë ajo, kanë dështuar në sigurimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, raporton Ekonomia Online.
“Organizata Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut është duke shënuar ditën e Kushtetutës së Kosovës. Ne jemi duke shënuar sot në mënyrë simbolike që me i kritiku edhe me kërku prej Qeveritarëve, Parlamentarëve dhe Deputetëve me respektu Kushtetutën e Kosovës. Kryesisht aksioni i sotëm është i fokusuar në Kodin Civil i cili nuk ka kaluar në seancën e fundit në Kuvend si kritikë që deputetët nuk i kanë respektuar të drejtat themelore të njeriut”.
“Aksioni ka për qëllim qe me ngritë vetëdijen tek qytetarët lidhur me të drejtat e njeriut, të drejtat themelore në përgjithësi me Kushtetutën dhe çka shënon dita e Kushtetutës. Po ashtu ka për qëllim me i kritiku deputetët dhe Qeverinë e Kosovës që kanë dështur në sigurimin, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.”
Në një pankartë të shpalosur nga organizata YIHR, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, shkruante “Po na e shkelin Kushtetutën”. Aty citohej neni 37 i Kushtetutës i cili parasheh të drejtën e martesës dhe krijimit të familjes, të garantuar me ligj.
Kuvendi i Kosovës, më 16 mars, nuk e votoi Projekt-Kodin Civil, që veç tjerash, do t’i hapte rrugë një ligji të posaçëm për martesat mes gjinisë së njëjtë.
Përfaqësues të komunitetit LGBT (lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë) dhe qytetarë të tjerë protestuan, të nesërmen, pasi në seancë, u dëgjuan fjalime ofenduese e homofobike nga një numër deputetësh.